Politikanët milionerë, qytetarët të varfër
FOTO: Laura Hasani

Politikanët milionerë, qytetarët të varfër

Aktuale June 17, 2019 - 07:59
Lexoni detajet
Image

Numri i politikanëve që kanë pasuri mbi një milion euro po rritet nga dita në ditë, siç po rritet në anën tjetër edhe numri i qytetarëve të cilët jetojnë në kushte të mjerueshme. Sipas të dhënave zyrtare, mbi 25 mijë familje me mbi 100 mijë qytetarë vazhdojnë të jetojnë me asistencë sociale, shkruan sot gazeta "Zëri".

Së fundmi zyrtarët e lartë të shtetit, duke përfshirë politikanët, e kanë deklaruar pasurinë e tyre në Agjencinë Kundër Korrupsionit. Mirëpo një pjesë e madhe e politikanëve kanë deklaruar se kanë pasuri e cila nuk korrespondon me të hyrat që ata kanë, qoftë mujore ose vjetore. Një numër i madh i pasurisë së deklaruar vlerësohet se është pasuri e jashtëligjshme, por që në Kosovë mungojnë mekanizmat të cilët do të mundë ta hetonin prejardhjen e saj. Përderisa shumë politikanë të shtetit posedojnë pasuri milionëshe, shumë qytetarë ende përballen me varfëri të skajshme. Rreth 25 mijë familje kosovare vazhdojnë të jetojnë me asistencë sociale.

Drejtues të organizatave civile në Kosovë janë shprehur se ekzistojnë dallime të mëdha të pasurisë së qytetarëve të thjeshtë dhe klasës politike në vend, duke shtuar se shumica e kësaj pasurie është përfituar pas luftës.

LEXO EDHE: S’ka heqje të vizave as gjatë Presidencës finlandeze

Duke nisur nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj, ministra, deputetë e kryetarë komunash, të gjithë këta posedojnë pasuri e cila prek shifrat milionëshe. Në deklarimin e pasurisë së tij presidenti Thaçi ka përmendur ndërtimin e shtëpisë në vlerë afër 400 mijë eurosh, toka në vlerë prej qindra-mijëra eurosh, si dhe shuma tjera të mëdha të depozituara në llogari bankare. Njëjtë edhe kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, ka deklaruar se ka në pronësi shtëpi, banesë, lokal e tokë në vlera të larta. Ndërsa nga pasuria e paluajtshme me vlerë milionëshe prin kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, i cili posedon 13 prona, të gjitha sipas tij të trashëguara nga babai. Edhe ministri i Inovacionit Besim Beqaj dhe ai i Ministrisë së Punëve të Brendshme Ekrem Mustafa posedojnë pasuri mbi 1 milion euroshE.

Hendeku mes pasurisë së politikanëve dhe të qytetarëve

Sipas të dhënave në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, nga skema e ndihmës sociale gjatë tremujorit të parë të këtij viti kanë përfituar 25 mijë familje me mbi 100 mijë anëtarë, përderisa një numër i konsiderueshëm i politikanëve që kanë deklaruar pasurinë kanë pasuri në vlerë mbi 1 milion euro. Nga organizata të shoqërisë civile vlerësohet se shtresa më e pasur e shoqërisë në Kosovë janë politikanët dhe kjo sipas tyre ngjall dyshime për përfitime të jashtëligjshme në pozitat që mbajnë.

Artan Demhasaj, nga organizata “Çohu”, ka thënë për “Zërin” se ka dallime të mëdha mes pasurisë së qytetarëve të thjeshtë dhe atyre që mbajnë pozita të larta ose janë pjesë e politikës.

“Duke u bazuar te pjesa e deklarimit të pasurive, po shohim që pjesa më e madhe e zyrtarëve politikanë kanë pasuri që është afër 1 milion ose e kalojnë këtë shifër, në anën tjetër gjendja e përgjithshme e qytetarëve është e rëndë. E dimë që një pjesë e madhe e tyre janë në social dhe janë me të ardhura të ulëta. Kjo tregon që në një ose në një tjetër mënyrë kategoria më e pasur e këtij vendi janë politikanët dhe zyrtarët e lartë publikë e kjo atëherë automatikisht na lidh me dyshimet që këtu ka përfitime të paligjshme”, ka deklaruar Demhasaj.

Prokuroria ende nuk ka filluar hetimin për deklarimet e pasurisë

Prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, ka thënë për “Zërin” se ende nuk kanë pranuar kallëzime nga ana e AKK-së, porse verifikimi i pasurisë së rrejshme është vepër penale dhe dënohet nga ana e Gjykatës.

“Tash Agjencia fillon t’i përgatisë rastet për Prokurori. Këto pasuri hetohen në bazë të Kodit Penal, në bazë të Ligjit për Konfliktit të Interesit e të tjera. Deklarimi i rrejshëm është vepër penale dhe për këtë formë deklarimi do të merren masa nga Gjykata”, ka thënë Beka.

972 zyrtarë do t’i nënshtrohen verifikimit të plotë të pasurisë

Drejtoi i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, ka thënë për “Zërin” se Agjencia ka hedhur shortin 20% për verifikim e plotë të pasurive të deklaruara, ku ka dalë se 972 zyrtarë do t’i nënshtrohen këtij kontrolli.

“972 zyrtarë do t’i nënshtrohen kontrollit të plotë të deklarimit të pasurisë. Vazhdimisht gjatë kontrollit nëse hasim në çështje të fshehjes ose të tjera, të dyshimta, ne merremi me rastin, e trajtojmë dhe në fund nëse vlerësojmë se ka elementë të shkeljeve të natyrës penale, atëherë i dorëzojmë në prokurorinë përkatëse”, ka deklaruar Havolli. Ai bëri të ditur se edhe këtë vit prej janarit deri tash Agjencia ka përgatitur disa kallëzime penale lidhur me dyshime për deklarim të rrejshëm, po ashtu në disa raste edhe për deklarim pas afati. “Janë rreth 13 zyrtarë që nuk e kanë deklaruar pasurinë dhe rreth 35 zyrtarë që e kanë deklaruar pas afati. Tash krejt kjo i nënshtrohet një verifikimi. Për ata që nuk kanë deklaruar hiç pasuri për një kohë të shkurtër direkt dorëzohet kallëzim penal në prokurorinë përkatëse”, ka thënë Havolli.

Dyshimet me pasurinë e trashëguar

Një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve të lartë dhe politikanëve që kanë deklaruar pasurinë janë klasifikuar si pasuri e trashëguar nga familja. Një gjë e tillë po konsiderohet e dyshimtë edhe në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Drejtori i kësaj Agjencie, Havolli, ka thënë se për ta fshehur pasurinë ka raste kur zyrtarët e lartë e deklarojnë atë si të trashëguar.

“Gjatë deklarimit të pasurisë ka zyrtarë që në forma të ndryshme nganjëherë dëshirojnë ta fshehin pasurinë dhe ka raste kur e deklarojnë si trashëgimi. Mirëpo gjatë kontrollit, kur Agjencia e vlerëson se ka dyshime të arsyeshme, u kërkojmë edhe informata shtesë zyrtarëve të lartë lidhur me trashëgiminë. Në të vërtetë sa i përket trashëgimisë ka probleme në cilësimin e kësaj deklarate”, ka thënë Havolli.

Edhe Demhasaj potencon se është problematike çështja e pasurisë së deklaruar si trashëgimi. Ai thekson se pasuritë si trashëgimi nuk argumentohen lehtë, duke e ditur cila ka qenë në përgjithësi gjendja ekonomike e familjeve kosovare para luftës.

“Ka shumë zyrtarë që pasurinë e deklarojnë si trashëgimi nga familja, të tjerë deklarojnë që prejardhja e saj daton që nga viti 1999 e më tutje. Por të gjitha këto në esencë janë deklarime që as Agjencia Kundër Korrupsionit nuk po arrin t’i argumentojë. Ne që jetojmë në Kosovë e dimë cila ka qenë gjendja ekonomike e familjeve në Kosovë dhe ky deklarim gjithmonë të çon në dyshime për faktin që nuk korrespondon me të hyrat që kanë dhe kanë pasur ndër vite këta persona”, ka theksuar Demhasaj.

Ligji për Konfiskimin e Pasurisë, i mirë në letër e i vdekur në praktikë

Gëzim Shala, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë për “Zërin” se hetimi dhe gjykimi i pasurisë përmes procedurave civile që si bazë nuk kanë ndërlidhjet me hetime dhe gjykime penale është një proces i rrezikshëm. Sipas tij, mungesa e zbatimit të Ligjit për Konfiskimin e Pasurive të Paligjshme ka çuar në mosverifikimin e drejtë të pasurive të deklaruara.

“Kosova ka Ligjin për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë së Përfituar me Vepër Penale. Sipas këtij ligji, nëse një person shpallet fajtor për një prej veprave penale që përcaktohen me këtë ligj, ndaj të njëjtit mund të iniciohet procedura civile për konfiskim të pasurisë së paarsyetuar. Barra e provës në këtë rast bie mbi të dënuarin. Por nga monitorimi sistematik që IKD-ja i ka bërë këtij ligji po ashtu edhe ligjit paraprak kemi parë se ky është një ligj shumë i mirë në letër, por i vdekur në praktikë”, ka deklaruar Shala.

Edhe nga organizata civile “Çohu” janë shprehur se në Kosovë mungojnë mekanizmat ligjorë për hetimin e pasurive dhe si pasojë e kësaj politikanët dhe zyrtarët e lartë pa frikë e deklarojnë pasurinë e tyre edhe pse nuk korrespondon me të ardhurat që kanë.

“Ne si ‘Çohu’ vazhdimisht kemi deklaruar që nuk ka mekanizma ligjorë për verifikim të pasurive që deklarohen njëkohësisht edhe sa i përket çështjes së prejardhjes së pasurive. Njëjtë nuk ka as Agjencia Kundër Korrupsionit. Si pasojë e mungesës së këtyre mekanizmave shumë politikanë kanë pasuri të cilat nuk korrespondojnë me të hyrat që ata kanë. Për këtë arsye në një mënyrë ose në tjetrën deklarimi i pasurisë e ka humbur edhe qëllimin për të cilin është formuar”, ka potencuar Demhasaj./ZERI