S’ka heqje të vizave as gjatë Presidencës finlandeze
FOTO: Zëri

S’ka heqje të vizave as gjatë Presidencës finlandeze

Aktuale June 17, 2019 - 07:45
Lexoni detajet
Image

Ndonëse Bashkimi Evropian vlerëson se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për heqjen e vizave, kjo gjë nuk pritet të ndodhë së shpejti. Sipas njohësve të çështjeve integruese, liberalizimi i vizave për kosovarët nuk pritet të ndodhë as gjatë udhëheqjes së Presidencës nga Finlanda, që do të fillojë në muajin e ardhshëm, shkruan sot gazeta "Zëri".

Heqja e vizave për Kosovën nuk pritet të ndodhë as gjatë udhëheqjes së Presidencës së BE-së nga Finlanda, e cila do të marrë në dorë timonin e këtij institucioni qysh nga 1 korriku deri më 31 dhjetor të këtij viti. Njohësit e integrimeve vlerësojnë se pavarësisht se është pozitiv fakti që Finlanda e njeh dhe e mbështet Kosovën, sipas tyre për ta futur liberalizimin e vizave në agjendë të Këshillit të Ministrave të BE-së nevojitet konsensus i plotë i të gjitha vendeve anëtare të BE-së, gjë që aktualisht nuk ekziston.

LEXO EDHE: Shoqëria civile nuk e pranon ulësen në ekipin negociator

Mirëpo nga Zyra e BE-së, e udhëhequr nga Frederika Mogerini, në një përgjigje dhënë “Zërit” kanë rikonfirmuar edhe një herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për heqjen e vizave.

“Në korrik 2018 Komisioni konfirmoi se Kosova i ka përmbushur të gjitha standardet e Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave, duke përfshirë edhe ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi dhe përmbushjen e kushteve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thuhet në përgjigjen e kësaj Zyre.

Aty thuhet po ashtu se në këtë fazë i takon Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së ta miratojnë propozimin e Komisionit për dhënien e vizave për qytetarët e Kosovës.

Zemaj: S’ka viza as sivjet

Armend Zemaj, nga LDK-ja, i cili është anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme, për “Zërin” ka thënë që nëse Kosova nuk shënon rezultate në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe nuk i përmbush reformat e kërkuara nga BE-ja, atëherë sipas tij Kosova nuk do të fitojë lëvizjen e lirë as gjatë këtij viti.

“Papërgjegjësia e lidershipit tonë tani ka degraduar edhe në besimin reciprok, duke përdorur deklarata për konsum të brendshëm, ndërsa duke neglizhuar edhe vlerësimin e këtij procesi të rëndësishëm për qytetarët tanë. Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, qeverisja e mirë, reformat në administratën publike mbeten detyrë dhe njëherësh janë pasqyrë e cila mundëson që shtetet e BE-së të japin dritën jeshile që të marrim liberalizimin e vizave. Pa këto ka mundësi që edhe viti i ardhshëm të na gjejë në pritje dhe sigurisht me deklarata boshe të kësaj Qeverie”, ka thënë Zemaj.

Ndërkohë, duke folur lidhur me përbërjen e re të Parlamentit Evropian, Zemaj ka thënë që është pozitiv fakti që Finlanda do të udhëheqë me këtë organ, mirëpo sipas tij as kjo nuk mjafton për heqjen e vizave nëse Kosova nuk i kryen detyrat e saj.

“Finlanda është një ndër shtetet që vazhdimisht e ka mbështetur Kosovën në raport me integrimet evropiane dhe sigurisht edhe kontakti është më i përafruar sa i përket agjendës evropiane. Por futja në agjendë për heqjen e vizave nuk varet vetëm nga shteti që udhëheq me Presidencën, por janë edhe disa faktorë tjerë të cilët u paraprijnë konsultimeve para votimit në Këshillin e Ministrave. Sido që të jetë, mendoj se Finlanda do të jetë më e angazhuar në proceset integruese të Ballkanit Perëndimor dhe kjo mundësi duhet të shfrytëzohet edhe nga institucionet tona”, ka shtuar ai.

Fetoshi: Vizat po përdoren si instrument presioni ndaj Kosovës

Njohësi i çështjeve integruese, Arben Fetoshi, në një prononcim për “Zërin” ka thënë që heqja e vizave për Kosovën po përdoret si instrument presioni ndaj Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë.

“Çështja e liberalizimit të vizave po përdoret si instrument presioni ndaj Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë, ndonëse nuk mund të përjashtohen edhe faktorë të tjerë, si gjyqësori i dobët dhe rezultatet e pamjaftueshme në luftimin e krimit të organizuar. Pra vendimi për vizat është vendosur në kontekstin politik të angazhimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe varet nga ecuria e procesit të dialogut Kosovë - Serbi si agjenda e saj kryesore”, ka thënë ai.

Ndërkohë ai ka theksuar se pavarësisht se Finlanda do të marrë udhëheqjen e Presidencës së BE-së që nga korriku i këtij viti, përsëri heqja e vizave mund të shtyhet edhe për një kohë.

“Nuk mendoj se vendimi lidhet me faktin se kush është kryesuesi i radhës i Këshillit, megjithëse disponimi i shteteve anëtare e ka rëndësinë e vet, por më tepër e shoh si proces të vendimmarrjes së balancuar, që mund të lidhet me vendime të caktuara nga Kosova dhe Serbia me qëllim të rikthimit të tyre në tavolinën e bisedimeve”, ka potencuar ai.

Ai po ashtu ka theksuar se duke i marrë për bazë deklaratat optimiste të kryeministrit Haradinaj, ka mundësi që atij t’i jetë premtuar si një “shpërblim” në raport me pezullimin e tarifës ndaj mallrave serbe dhe të vendoset në një “pako stimuluese” për rikthimin e palëve në dialog.

Shasha: Franca e Holanda, kundër hapjes së kufijve të BE-së

Demush Shasha, nga instituti “Epik”, për “Zërin” ka thënë që Finlanda, e cila së shpejti do të marrë udhëheqjen e Presidencës së BE-së, do ta fusë në agjendë heqjen e vizave për Kosovën vetëm nëse ka konsensus të plotë nga të gjitha vendet anëtare.

“Finlanda do të shqyrtojë çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën në nivel punues të Këshillit të BE-së. Mirëpo vetëm nëse arrihet konsensus i plotë i të gjitha vendeve anëtare të BE-së Finlanda do të propozojë zyrtarisht që çështja e liberalizimi të vizave të votohet në Këshillin e BE-së”, ka thënë Shasha.

Aktualisht sipas tij janë disa faktorë të cilët janë duke penguar liberalizimin e vizave për Kosovën.

“E para që po e pengon heqjen e vizave është mungesa e rezultateve të Kosovës në kuadër të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Dy vjet pas kërkesës së Komisionit Evropian për përmbushjen e kriterit të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit ne ende s’kemi asnjë aktgjykim dënues të profilit të lartë për korrupsion. Rrjedhimisht vendet anëtare të BE-së nuk e ndajnë mendimin se Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave. Po ashtu Raporti i Vendit 2019 identifikoi sfida të shumta në fushën e sundimit të ligjit”, ka theksuar ai.

Shasha vlerëson po ashtu se ajo që e pengon heqjen e vizave për Kosovën është se çështja e liberalizimit të vizave nuk është prioritet i institucioneve të BE-së për vitin 2019, si dhe ka mungesë të vullnetit politik për liberalizim të vizave.

“Gjithashtu brenda BE-së janë disa vende të cilat për arsye të brendshme janë kundër hapjes së mëtutjeshme të kufijve të BE-së. Këto vende kyçe kundër janë Franca dhe Holanda”, ka shtuar ai/ZERI