Nuk ka zgjedhje nga tryezat e partive

Aktuale May 08, 2018 - 08:07
Lexoni më shumë detaje

LDK-ja pati filluar të kërkonte tryeza të partive politike për të diskutuar për shkuarjen në zgjedhje të parakohshme, megjithatë tryezat që tani po organizohen me rotacion nga partitë politike nuk pritet t’i kenë zgjedhjet si epilog, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Dita e sotme pritet t’i mbledhë për të dytën herë partitë politike në një tryezë të përbashkët në Kuvendin e Kosovës.

Pas LDK-së, e cila mblodhi partitë më 25 prill, PDK-ja është ajo që ka iniciuar takimin e radhës, i cili do të nisë duke filluar në orën 13:00.

Por ndonëse nikoqirët e këtyre takimeve thonë se qëllimi i tryezave është arritja e konsensusit politik për agjendën shtetërore të Kosovës, njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se takimet e tilla janë krejtësisht të kota dhe pa kurrfarë rezultati, shkruan më tutje "Zëri".

Madje, ata shprehen të bindur se nga këto tryeza nuk mund të dalë assesi as ndonjë dakordim për zgjedhje të parakohshme, siç ishte paralajmëruar para takimit të parë nga LDK-ja.

LEXO EDHE: Pritet kthimi i plotë i Listës Serbe në Qeveri

Skeptikë se takimet e tilla do të jenë frytdhënëse shprehen edhe vetë përfaqësuesit e partive politike, të cilët megjithatë i konsiderojnë pozitive takimet e llojit të tillë.

Ndërkohë, përderisa deputetët e partive në pushtet mbeten të sigurt se tryezat e tilla nuk do të prodhojnë zgjedhje të parakohshme, nga opozita deklarojnë se zgjedhje do të ketë detyrimisht, ndonëse jo së shpejti.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Memli Krasniqi, është shprehur optimist se të gjitha partitë politike do të marrin pjesë në tryezën e sotme të thirrur nga PDK-ja.

“Besoj se të gjitha partitë e ftuara do t’i dërgojnë përfaqësuesit e tyre”, ka thënë shkurt për “Zërin” Krasniqi.

Ndërkohë PDK-ja tashmë ka bërë të ditur se në tryezën e së martës do të diskutohet: për fazën përfundimtare të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë - Serbi, për hartimin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, për agjendën e integrimeve evropiane, për formimin e ushtrisë së Kosovës, si dhe për reformën zgjedhore.

Avdyli: Jam skeptik nëse tryezat do të sjellin diçka

Megjithëkëtë, deputeti i LDK-së Haxhi Avdyli, është shprehur skeptik nëse tryezat e tilla do të sjellin rezultate konkrete.

“Këto tryeza janë të nevojshme për t’i shtjerrë të gjitha mundësitë, por për rezultatet jam skeptik që do të sjellin diçka. Iniciativa jonë ka qenë qëllimmirë për të krijuar konsensus rreth temave të mëdha për të cilat kjo Qeveri nuk është e zonja t’i vazhdojë tutje”, ka deklaruar ai.

Megjithatë, sipas Avdylit, LDK-ja do të nisë mocion për rrëzimin e Qeverisë nëse tryezat nuk përfundojnë me ndonjë rezultat.

“Nëse s’ka, duhet t’i shikojmë mundësitë për mbledhjen e nënshkrimeve për mocion”, ka theksuar Avdyli.

Kurteshi: Interesimi i opozitës - të shkohet në zgjedhje

Kurse deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Ismajl Kurteshi ka thënë se ideja e takimeve të partive për të diskutuar për çështje të caktuara që kanë të bëjnë me vendin nuk është ide e keqe.

Përkundrazi, një praktikë e tillë është pozitive.

Kurteshi me këtë rast ka thënë se interesimi i opozitës është që të shkohet në zgjedhje, ndonëse një gjë e tillë është e vështirë për t’u realizuar.

“Siç po shihet, interesim ka për zgjedhje nga ana e opozitës, por në proceset të cilat jemi nuk konsideroj se zgjedhjet do të ndodhin shumë shpejt, por natyrisht se zgjedhje të parakohshme do të ketë”, ka deklaruar Kurteshi.

I pyetur nëse LVV-ja do të kërkojë të bisedohet për zgjedhje në takimin që do ta thërrasë në të ardhmen, Kurteshi ka thënë se LVV-ja edhe më parë e ka kërkuar një gjë të tillë.

Haxhiu: Zgjedhje s’do të ketë deri në fund të mandatit

Kurse deputetja e AAK-së Teuta Haxhiu ka bërë të ditur se ky subjekt do të marrë pjesë në takimin e sotëm, pasi është mirë që partitë të ulen dhe të diskutojnë për temat e ndryshme në interes të vendit.

Megjithatë, ajo është shprehur e vendosur se zgjedhje nuk do të ketë deri në fund të mandatit të Qeverisë aktuale.

“Është krejt normale që partitë politike të diskutojnë në mënyrën më të mirë të mundshme për zgjedhjet e ardhshme, të cilat sigurisht do të mbahen pas mandatit të plotë të Qeverisë. Çdoherë ne kemi marrë pjesë e marrim pjesë dhe japim idetë tona, të cilat janë në frymën e ndryshimeve pozitive në vend”, ka theksuar ajo.

Edhe deputetja e Nismës Socialdemokrate Albulena Balaj-Halimaj ka pohuar se ky subjekt do të marrë pjesë në takimin e sotëm.

Ndërkohë, sa i përket asaj se çka mund të prodhojnë këto tryeza, Balaj-Halimaj ka thënë se në mos asgjë, këto takime mund t’i çlodhin raportet mes partive politike.

“Shpresoj që nëse asgjë tjetër nuk del nga këto takime, së paku do të shkojnë në funksion të relaksimit të marrëdhënieve mes partive politike të Kosovës”, ka nënvizuar ajo.

Mushkolaj: Tryezat e partive, të kota

Por pavarësisht tyre, analisti politik Imer Mushkolaj ka vlerësuar se tryezat e thirrura nga partitë politike nuk do të prodhojnë asgjë pozitive.

“Janë thjesht tryeza koti. Nuk ka nevojë për organizimin e këtyre tryezave. Nëse ka nevojë për të debatuar dhe për të mbërritur marrëveshje për cilëndo çështje ekziston vendi dhe ai vend është Kuvendi i Kosovës”, ka thënë ai.

Madje ai është shprehur i bindur se nga tryezat nuk do të dalë as ndonjë dakrodim për zgjedhje të parakohshme, siç kishte paralajmëruar fillimisht LDK-ja, iniciatorja e këtyre tryezave.

“Pikërisht joseriozitetin e këtyre tryezave e tregon qasja e LDK-së, e cila në momentin kur e organizoi tryezën e përmendte mundësinë që të mblidhen partitë dhe ta caktonin datën për zgjedhje të parakohshme, por ndërkohë kur përfundoi tryeza u tha që nuk u diskutua për këtë çështje. Unë nuk pres që nga këto tryeza të dalë kurrfarë date për zgjedhje të parakohshme”, ka theksuar ai.

Madje sipas tij, edhe vetë LDK-ja e di mirë që kjo është e pamundur, pasi vendi mund të shkojë në zgjedhje vetëm atëherë kur do PDK-ja. 

Murati: Tryezat pozitive, por vështirë të ketë konsensus

Ndërkaq Artan Murati, nga KDI-ja, tryezat e partive politike i ka cilësuar si pozitive.

Megjithatë, sipas Muratit, arsyeja kyçe e organizimit të tryezave ka të bëjë më shumë me shtyrjen e zgjedhjeve të parakohshme sesa me organizimin e tyre.

“Konsideroj se arsyeja se pse po mbahen këto tryeza është pikërisht për t’i shtyrë apo për t’i evituar zgjedhjet e parakohshme, sepse tashmë plani për zgjedhje të parakohshme nuk po përmendet. Por tash fokusi është kthyer te gjetja e një konsensusi mes subjekteve politike për çështjet madhore, si çështja e dialogut”, ka potencuar ai.

Megjithatë, ai është shprehur skeptik nëse një konsensus i tillë mund të arrihet.

“Momentalisht pozicionet e subjekteve politike nuk janë shumë të përafërta, por ndoshta përmes këtyre tryezave do të mundë të ketë ndonjë përafrim, që dikush të lëshojë pe. Edhe pse nëse bazohemi prej të kaluarës, është vështirë e besueshme se mund të ketë ndonjë përafrim gjithëpërfshirës të këtyre subjekteve politike”, ka theksuar Murati.