Pritet kthimi i plotë i Listës Serbe në Qeveri

Aktuale May 08, 2018 - 07:49
Lexoni më shumë detaje

Për më shumë se një muaj ministrat e Listës Serbe nuk po marrin pjesë në mbledhjet e Qeverisë, ndërkohë që deputetët e kësaj partie janë rreshtuar në krahun e opozitës në Kuvend. Megjithatë, kthimi i plotë i Listës Serbe në Qeveri pritet të bëhet pas pak ditësh, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Ndonëse është bërë më shumë se një muaj prej largimit (deklarativisht) të Listës Serbe nga koalicioni qeverisës, gjatë kësaj jave pritet që ky subjekt politik të kthehet plotësisht në qeverinë “Haradinaj”.

Kështu kanë bërë të ditur burime të gazetës Zëri, të cilat kanë treguar se pas pak ditësh Lista Serbe do të marrë vendim përfundimisht për t’u kthyer plotësisht në Qeveri.

Gjatë muajit të fundit ministrat e Listës Serbe në Qeverinë e Kosovës as një ditë nuk janë larguar nga vendet e tyre të punës, madje gjatë kësaj kohe ata edhe kanë marrë vendime me rëndësi në dikasteret që ata drejtojnë.

Kurse nga Zyra e kryeministrit Haradinaj kanë deklaruar për gazetën se pritet që Lista Serbe ta rishqyrtojë vendimin dhe të kthehen në ekzekutiv, shkruan më tutje "Zëri".

Në anën tjetër, deputetë dhe ministra të Listës Serbe gjatë javës së kaluar u panë në festën e 18-vjetorit të themelimit të AAK-së, të cilën prani deputetë të AAK-së e konsiderojnë një hap para drejt ndryshimit të qëndrimit të Listës Serbe.

Matoshi: Pritet që Lista Serbe ta shqyrtojë vendimin për kthim

Halil Matoshi, këshilltar politik i kryeministrit Ramush Haradinaj, ka thënë se Qeveria po pret nga Lista Serbe që sa më shpejt që të jetë e mundur ta shqyrtojë vendimin e tyre për t’u kthyer.

“Realisht Lista Serbe asnjëherë nuk i ka shkëputur raportet me Qeverinë, përkatësisht me kryeministrin Haradinaj dhe takimet kanë qenë të punës dhe zyrtare. Pritet që ata ta shqyrtojnë shumë shpejt vendimin e tyre për rikthim në Qeverinë e Kosovës, sepse aty janë kategori kushtetuese”, tha ai.

Matoshi nuk ka treguar ndonjë datë se kur Lista Serbe mund t’i bashkohet sërish koalicionit qeverisës.

“Ne presim kthimin në afat optimal, por nuk kemi ndonjë datë të caktuar”, ka thënë ai.

Haxhiu: Lista Serbe të vendosë, s’mund të qëndrojnë kështu deri në pafundësi

Deputetja Teuta Haxhiu, nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se Lista Serbe duhet ta mendojë sa më shpejt kthimin e plotë në Qeveri dhe të punojnë për Kosovën, pasi paguhen nga buxheti i Kosovës.

“Ata paguhen nga buxheti i Kosovës, është më mirë t’i kthehen punës për Kosovën dhe jo të marrin udhëzime nga Beogradi. Ne këtë drejtim, nëse kthehen të punojnë për Kosovën është mirë, në të kundërtën nuk di nëse kanë ndonjë arsye për t’u kthyer”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka deklaruar se prania e Listës Serbe në festën e tetëmbëdhjetëvjetorit të AAK-së mund të jetë një hap më tutje që ata ta mendojnë kthimin sa më shpejt, kjo pasi siç tha ajo, ky qëndrim i tyre nuk mund të vazhdojë deri në pafundësi.

“Ata ishin në festë dhe ardhja e tyre në festën e AAK-së ndoshta është një hap më tutje, mirëpo duke i parë ndryshimet dhe presionet nga faktori ndërkombëtar, kjo gjendje nuk duhet të shkojë deri në pafundësi. Ata duhet të mendojnë në këtë drejtim”, ka thënë Haxhiu.

Alija: Nga Lista Serbe nuk mund të pritet shumë

Ndërkaq Rasim Alija, njohës i çështjeve politike, konsideron se nga Lista Serbe nuk mund të pritet shumë pasi vazhdojnë të dirigjohen nga Beogradi.

Sipas tij, kjo çështje duhet të marrë epilog pasi Qeveria, ndonëse mund të funksionojë pa ta, është e brishtë dhe pa stabilitet institucional.

“Nga Lista Serbe nuk pritet ndonjë qasje konstruktive. Gjatë secilit mandat qeverisës Lista Serbe ka qenë aty për ta shtyrë përpara agjendën e Beogradit, jo të serbëve të Kosovës, gjë për të cilën i kanë marrë votat nga po këta serbë. Qeveria mund të funksionojë edhe pa Listën Serbe, por shumë më e brishtë dhe pa stabilitet institucional”, ka thënë ai.

Përndryshe, largimi (deklarativ) i Listës Serbe nga qeveria “Haradinaj” ka ardhur pas arrestimit të shefit të së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Marko Gjuriq nga autoritetet kosovare, pasi kishte hyrë pa leje në territorin e Kosovës.

Më 26 mars Gjuriq ishte arrestuar në pjesën veriore të Mitrovicës gjatë një aktiviteti politik, pasi nuk kishte marrë leje për të hyrë në territorin e Kosovës.

Më pas ai është sjellë në Stacionin Policor në Prishtinë, prej nga është dëbuar sërish për në Serbi.

Ky veprim i Policisë së Kosovë pati ngritur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë. Ndërkaq Lista Serbe me lejen e Beogradit pati vendosur të “largohet” nga Qeveria e Kosovës.

Prej asaj kohe tre ministrat serbë po dalin në punë, por nuk po marrin pjesë në mbledhjet e Qeverisë, ndërkohë që deputetët serbë janë rreshtuar në krahun e opozitës në Kuvend.

Gazeta “Zëri” gjatë ditës ka tentuar ta marrë qëndrimin e përfaqësuesve të Listës Serbe, megjithatë ata nuk kanë dhënë përgjigje rreth mundësisë së kthimit të plotë të kësaj partie në Qeveri.