S'ka Asociacion të njëanshëm

Aktuale April 20, 2018 - 07:46
Lexo detajet

Lista Serbe pati dhënë ultimatum për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe deri më 19 prill, në të kundërtën ky subjekt politik pati paralajmëruar se më 20 prill (sot) do ta formonte njëanshëm këtë asociacionin. Por, pasi Qeveria e Kosovë ka formuar mekanizmat për hartimin e statutit të Asociacionit serbët janë tërhequr nga formimi i njëanshëm i tij, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Megjithëse 20 prilli ishte paralajmëruar si data kur serbët e Kosovës njëanshëm do të formonin e Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, ata janë tërhequr nga ky veprim pasi institucionet e Kosovës kanë themeluar një grup punues, i cili do të merret me hartimin e statutit të Asociacionit.

LEXO EDHE: Shpallet i pafajshëm pas qëndrimit në paraburgim prej 6 vjetësh

Ndërsa presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka thënë se do ta presin këtë ekip që ta kryejë punën e vet brenda afatit prej 3 muajsh e gjysmë, shkruan tutje "Zëri". 

Edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë se ultimatumi ka rënë poshtë.

“Ka ndryshuar gjendja. Kosova është në rrugën e hartimit të statutit të Asociacionit. Ultimatumi bie poshtë”, ka thënë Haradinaj pas mbledhjes së djeshme të Qeverisë.

Vuçiq: Serbët e Kosovës nuk do ta formojnë njëanshëm Asociacionin

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq ka thënë se përfaqësuesit e serbëve të Kosovës do të presin edhe tre muaj e gjysmë, duke respektuar kështu afatin e përcaktuar nga Bashkimi Evropian për hartimin e statutit dhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Ai ka thënë po ashtu se nga Marrëveshja e Brukselit për Normalizim të Raporteve vetëm dakordimi apo pjesa për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe nuk është realizuar ende.

“Serbët nuk do ta formojnë Asociacionin as nesër e as pasnesër. Kemi pritur pesë vjet, do të presim edhe këta tre muaj që askush të mos i akuzojë serbët se po i shkelin marrëveshjet dhe dakordimet ndërkombëtare”, ka theksuar Vuçiq.

Por pavarësisht kësaj deklarate Vuçiq është shprehur pesimist se Kosova do ta formojë këtë asociacion.

“Kanë thënë se për tre muaj e gjysmë do të dalin me statutin e Asociacionit. Serbia do të pres edhe tre muaj e gjysmë, por ju them tani, nuk presim që kjo do të ndodhë”, ka thënë ai.

Gjuriq: Prishtina t’i ndryshojë ligjet për ta formuar Asociacionin

Kurse drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Marko Gjuriq, i cili u ka thënë medieve serbe se ekipi drejtues është duke punuar në hartimin e statutit të Asociacionit të Komunave Serbe duke u bazuar në Marrëveshjen e Brukselit e jo sipas akteve interne dhe vendimeve të Prishtinës. Marko Gjuriq ka thënë se serbët e Kosovës nuk do të tërhiqen nga formimi i “Zajednicës”, ndërsa ka konkluduar se Prishtina nuk e ka ndërmend ta mundësojë formimin e AKS-së në pajtim me Marrëveshjen e Brukselit.

“Statuti i AKS-së nuk do të hartohet sipas akteve interne dhe vendimeve të Prishtinës, por në pajtim të plotë me marrëveshjen e arritur në Bruksel. Në Marrëveshjen e Brukselit qartë theksohet obligimi i Prishtinës që t’i ndryshojë ligjet e saj, sepse sipas atyre të tanishme që janë në fuqi nuk parashikohet AKS-ja e unë mendoj se Prishtina nuk e ka ndërmend ta bëjë këtë dhe nuk e kam të qartë se për ç’arsye atëherë kanë biseduar me ne”, ka thënë Gjuriq.

Haradinaj: Ultimatumi i serbëve më nuk vlen

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, dje ka folur për mënyrën e formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, si dhe ultimatumin e Listës Serbe për këtë proces.

“Ka ndryshuar gjendja faktike, Kosova është në proces e sipër të formimit të statutit në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit. Kjo marrëveshje në fund e ka paraparë që të dërgohet në Kushtetuese e të shihet a është në përputhje me Kushtetutë. Ultimatumi më nuk vlen se puna ka filluar”, ka thënë Haradinaj.

Në anën tjetër Avni Arifi, shef i negociatave me Serbinë e njëherësh shef i kabinetit të kryeministrit Ramush Haradinaj, për “Zërin” ka thënë se Qeveria e Kosovës ka aktivizuar ekipin menaxherial për draftimin e Asociacionit e që sipas tij është kërkesë e BE-së që ky proces të përfundojë brenda 4 muajve.

“Qeveria e Kosovës ka aktivizuar ekipin menagjerial që do ta bëjë draftin e statutit konform Marrëveshjes së Brukselit dhe ligjeve të Kushtetutës së Kosovës. Është kërkesë e BE-së që brenda 4 muajve ky proces të përfundojë”, ka thënë Arifi.

Haliti: Asociacioni me kompetenca ekzekutive, i papranueshëm

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë që Vuçiq ka marrë mesazh të qartë nga Bashkimi Evropian.

“Vuçiq ka marrë mesazh të qartë nga Bashkimi Evropian se cili është problemi i Kosovës dhe cili është problemi i Serbisë për të filluar procesi i tyre në integrimin e BE-së. Nuk mund të shkohet në BE me probleme dhe duhet të luftojmë për të mos pasur probleme në mes vete”, ka thënë Haliti për “Zërin”.

Ndërsa për kërkesën e serbëve që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive Haliti ka thënë që kjo gjë është e papranueshme për shtetin e Kosovës.

“Dëshira e Serbisë për të pasur një Republikë Serbe dhe një institucion siç po e quajnë serbët Asociacionin me kompetenca ekzekutive nuk mund të jetë i pranueshëm për Kosovës, sepse kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese, si dhe BE-ja ka dalë me qëndrim të qartë për këtë çështje, që nuk ka mundësi të ketë një Asociacion me kompetenca ekzekutive edhe pse një marrëveshje e paharmonizuar mirë në Kosovë është nënshkruar, por si e tillë nuk është pranuar nga Gjykata Kushtetuese dhe nga institucionet e Kosovës”, ka theksuar Haliti.

Murati: Asociacioni të mos dalë jashtë kornizave kushtetuese

Në anën tjetër Artan Murati, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë që formimi i Asociacionit në mënyrë të njëanshme nga pala serbe nuk do ta prodhonte efektin e dëshiruar nga Serbia pasi që do ta humbnin përkrahjen e BE-së.

Ndërsa duke folur për deklaratën e fundit të Vuçiqit, Murati thotë se është deklaratë që përkon me realitetin.

“Deklaratën e Vuçiqit e shoh si një deklaratë e cila përkon me realitetin që është në terren dhe nënkupton që mbi të gjitha serbët po kërkojnë që ta kenë mbrapa edhe përkrahjen e BE-së në mënyrë që të bëhet trysni edhe te pala kosovare, që normalisht ka hezitimet e veta sa i përket themelimit të Asociacionit”, ka theksuar Murati.

Duke thënë se për formimin e Asociacionit jemi para një akti të kryer, sipas Muratit mënyra më e mirë sesi do të duhej të themelohej ky asociacion është që në asnjë rast të mos lejojmë që ky asociacion të dalë jashtë kornizave kushtetuese të Kosovës. Ditë më parë edhe shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka thënë se Asociacioni do të formohet sipas ligjeve të Kosovës.