Shpallet i pafajshëm pas qëndrimit në paraburgim prej 6 vjetësh

Kronika April 20, 2018 - 07:41
Lexo detajet

Ka kaluar më shumë se 6 vjet në paraburgim dhe në vitin 2017 gjykata atë e ka shpallur të pafajshëm. Për gjithë kohën sa ka qëndruar në burg personi në fjalë ka përfituar rreth 30 mijë euro. Vetëm gjatë vitit që lamë pas më shumë se 150 persona kanë qëndruar në burg dhe në fund janë shpallur nga gjykata si të pafajshëm, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Mbi 150 persona janë mbyllur prapa grilave gjatë vitit 2017 pa asnjë faj, krejt kjo si pasojë e ngritjes së aktakuzave pa fakte dhe vendimeve të ngutshme të gjykatave për shqiptim të masës së paraburgimit ndaj tyre.

LEXO EDHE: Në maj vijnë monitoruesit e BE-së për vizat

Deri sa në vitin 2016 në burgjet e Kosovës 148 persona janë mbajtur në paraburgim dhe më pas janë shpallur të pafajshëm nga gjykatat, në vitin 2017 ky numër ka shënuar rritje deri në 153 persona, shkruan tutje "Zëri". 

Përveç mohimit të lirisë që u bëhet këtyre personave gjatë qëndrimit të tyre pa faj prapa grilave, edhe shuma që këta persona marrin si kompensim është minimale.

Astrit Hoti, drejtori i Departamentit Ligjor në Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe njëkohësisht sekretar i Komisionit për Kompensim të Dëmit, ka treguar për “Zërin” se numri i personave që janë mbajtur në burgje dhe pastaj janë liruar si të pafajshëm është rritur në vitin 2017, i krahasuar me vitin 2016.

Ai ka treguar edhe shumën që KGJK-ja ka ndarë si kompensim në dy vjetët e fundit për personat që janë shpallur të pafajshëm pas përballjes me drejtësinë dhe qëndrimit në paraburgim.

Sipas tij, vitin e kaluar  KGJK-ja ka ndarë nga buxhet i saj rreth gjysmë milioni për kompensimin e 153 personave.

“Në vitin 2017 janë shpenzuar 385,470.30 €  për gjithsej 153 pagesa. Në vitin 2016 janë shpenzuar 368,212.00 për gjithsej 148 pagesa”, thotë Hoti.

KGJK: Një person u kompensua me 30 mijë euro për 6 vjet të qëndrimit në burg

Pas rreth 6 vjet të qëndrimit të tij në paraburgim, sipas Hotit një person është shpallur i pafajshëm gjatë vitit 2017 dhe për këtë periudhë të qëndrimit të tij prapa grilave kompensimi që i është dhënë nga KGJK-ja ka qenë mbi 30 mijë euro.

“Në vitin 2017 shuma më e vogël që është paguar është 240 euro, i cili ka qëndruar 8 ditë, ndërsa shuma më e madhe është 31,135.00 euro i cili ka qëndruar në paraburgim 1861 ditë”, ka treguar Hoti për gazetën “Zëri”. 

Edhe në vitin 2016 koha më e gjatë që një person ka kaluar në burg e më pas është shpallur i pafajshëm ishte pothuajse e njëjtë me atë të vitit 2017.

Kurse qëndrimi më i shkurtër në paraburgim, sipas Hotit ka qenë një muaj dhe për këtë periudhë ky person është paguar mbi 400 euro.

“Në vitin 2016 shuma më e vogël që është paguar është 434 euro, i cili ka qëndruar (32 ditë dhe është paguar me kriteret e vjetra, e cila ka qenë 6 euro si për dëmin material, po ashtu edhe për dëmin jomaterial. Po ashtu nuk i është paguar kompensimi për përfaqësim se nuk ka pasur avokat, ndërsa shuma më e madhe është 29,425.00. Ky person ka qëndruar në paraburgim 1765 ditë”, ka treguar Hoti.

Ai ka treguar se përcaktimi i pagesës për këto raste bëhet në bazë të Udhëzimit Administrativ Nr. (04/2015) Për zbatimin e procedurës për kompensimin e dëmit për personat e dënuar ose të arrestuar pa arsye është paraparë kompensimi si në vijim.

“Për paraburgim pa bazë për një ditë kompensohet si në vijim: Për dëmin material 9 €;

Për dëmin jomaterial 6 €; Për pako dhe vizita familjare 2 pako brenda muajit 25x2 = 50 €; Për përpilim të kërkesës dhe përfaqësim ne seancë 60+60 = 120 € nëse ka avokat.

Ndërsa për arrest shtëpiak pa bazë për një ditë kompensohet 9 euro për dëmin material, Për dëmin jomaterial 6 €; ndërsa për përpilim të kërkesës dhe përfaqësim në seancë 60+60 = 120 € nëse ka avokat”, tregon Hoti.

KMDLNJ: Kjo është shkelje e të drejtave të njeriut

Por për zyrtarë të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut qëndrimi i një numri kaq të madh të personave në paraburgim pa faj është shkelje e të drejtave të njeriut.

Drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), Behxhet Shala, për “Zërin” thotë se masa e paraburgimit duhet të shqiptohet kur shteren të gjitha mundësitë tjera, e cila është edhe masa më e skajshme.

“Të drejtat e njeriut i mbron ligji dhe në qoftë se ligji ua shkel të drejtat e njerëzve në këtë formë atëherë pa dyshim që është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut. Edhe më herët ka pasur njerëz të cilët kanë qëndruar në paraburgim e pastaj janë liruar si të pafajshëm dhe në këtë mënyrë përveçqë e kanë pësuar shumë si individë, u ka rënë reputacioni, familjet e tyre kanë pësuar dhe kanë humbur edhe karrierën”, shprehet Shala.

Por, përveçqë dëmtohen këta persona, me këto vendime dëmtohet edhe buxheti i Kosovës, pasi këta persona duhet të kompensohen për qëndrimin e tyre në paraburgim.

“Edhe buxheti i Kosovës pëson humbje sepse këta persona duhet të kompensohen për qëndrimin e tyre në paraburgim kur shpallen të pafajshëm. Gjykatat duhet ta bëjë një vlerësim më të saktë sa i përket rrezikshmërisë që paraqet personi i paraburgosur apo personi që është nën hetime dhe është i rrezikshëm për sigurinë, vetëm pas kësaj duhet të  burgosen”, thotë ai.

Shala e kundërshton caktimin e masës së paraburgimit pa u përfillur kriteret e rrezikshmërisë.

Ai thotë se prokuroritë dhe gjykatat duhet të angazhohen për shqiptimin e masave alternative të sigurisë, siç janë paraqitje në Polici apo marrja e dokumenteve të identifikimit dhe jo direkt të shkohet me paraburgim.

Drejtori i KMDLNJ-së thotë se shuma e kompensimeve që u bëhet këtyre personave është shumë e ulët.

“Nuk ka kompensim për shkatërrimin e reputacionit, besimit, dëmeve familjare, humbjen e vendit të punës e shumë dëme të tjera, të cilat dëme janë të pariparueshme, po ashtu është joserioze që dikujt t’i paguhen 20 euro që ka qëndruar në burg e që ka dalë të jetë i pafajshëm”, shprehet Shala.

Avokati i Popullit: Nuk ndërhyjmë me vlerësim në vendimet e gjykatave

Institucioni i Avokatit të Popullit nuk ka dashur të deklarohet për këtë çështje, duke shtuar se nuk ndërhyn në vendimet e gjykatave.

“Duke respektuar parimin e ndarjes së pushteteve dhe në pajtim me mandatin që ka, Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) nuk ndërhyn me vlerësim në vendimet e gjykatave, duke përfshirë masat që gjykata i vendos kur rasti është në procedurë”, thuhet në përgjigjen e Avokatit të Popullit, Hilmi Jashari.

Sipas tij, mbetet kompetencë e gjykatave që tani pas miratimit të Udhëzuesit për Politikat  Ndëshkimore, të nxjerrë në shkurt të 2018-s nga Gjykata Supreme, të fillojë një qasje e re nga sistemi gjyqësor.                                            

Avokati Rrecaj: Kompensimin që jep KGJK-ja është qesharak

Për avokatin Tahir Rrecaj, i cili deri tash ka bërë disa padi ndaj shtetit në emër të  klientëve të tij të cilët padrejtësisht janë mbajtur në burgje, thotë se shuma e kompensimit që bëhet nga KGJK-ja për këta personat është shumë qesharake.

Sipas tij, është bërë praktikë nga organet e drejtësisë që të shqiptohet masa më e rëndë e sigurisë e që është paraburgimi.

Ai thotë se ka shumë raste të tilla me klientët e vet.

“Është bërë si një praktikë që për çdo rast të  kërkohet masa e paraburgimit dhe gjykatat nuk i refuzojnë kërkesat e prokurorive, pastaj kur vjen shqyrtimi gjyqësor pas disa vjetëve del që personi nuk ka qenë fajtor dhe kjo e dëmton rëndë vetë personin, familjen e tij, ia shkatërron karrierën. Ka sa e sa raste kur shumë njerëzve me pozita të larta u është shkatërruar karriera, por edhe jeta me procese të padrejta gjyqësore e pastaj kanë dalë të pafajshëm”, shprehet Rrecaj.

Avokati e quan qesharake shumën e kompensimit që bëhet nga KGJK-ja.

“Kompensimin që ofron Këshilli Gjyqësor nuk e pranojmë. Unë nuk i kam pranuar për Fatmir Limajn. Është një kompensim minimal, për të mos thënë qesharak. Aty llogaritet 15 euro për 24 orë të qëndrimit në paraburgim, masë kjo e cila është shumë e rëndë dhe shkatërron dinjitetin, shëndetin e të gjitha. Prandaj në  rastin e z. Limajt kemi shkuar me padi në gjykatë dhe presim që vlerësimi i gjykatës të jetë shumë më i madh sesa i KGJK-së”, thotë Rrecaj.

Ai thotë se prokurorët po dështojnë shumë me aktakuza në gjykatë, andaj kërkon që prokuroritë të vetëdijesohen që të mos bëjnë aktakuza pa fakte e prova, të cilat më vonë rrëzohen në gjykatë.

Për tetë vjet të punës së tij si avokat, Rrecaj thotë se asnjë prokuror nuk e ka fituar aktakuzën për “Krim të organizuar”.

Ndryshe, për qëndrim në paraburgim dhe arrest shtëpiak pas shpalljes së tyre të pafajshëm nga gjykatat padi për kompensim të dëmit të shkaktuar ka kërkuar ish-ministri i Transportit dhe Post-Telekomit, tashmë zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, ndërsa padi për qëndrimin e tij në paraburgim ka paralajmëruar edhe ish-kryetari i Komunës së Skenderajt Sami Lushtaku, pas shpalljes i pafajshëm për “Krime lufte” në rastin “Drenica”.

Limaj për 8 vjet të ballafaqimit të tij me drejtësinë për rastin “MTPT” kishte kërkuar hiç më pak se 7 milionë euro, padi kjo e cila  vitin e kaluar është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Fatmir Limaj kishte refuzuar shumën e kompensimit të ofruar nga KGJK-ja, pasi nuk arrinte as 1-përqindëshin nga shuma prej 7 milionësh që ai kishte kërkuar.

Oferta e Komisionit për Kompensim të Dëmit të KGJK-së ishte në vlerë rreth 7 mijë e 305 euro, shifër kjo që u cilësuar si ofertë simbolike nga ana e Limajt.