Bekim Blakaj fiton çmimin “Europiani i Vitit 2024”

Bekim Blakaj fiton çmimin “Europiani i Vitit 2024”

Aktuale May 08, 2024 - 21:43

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, ia dorëzoi çmimin “Evropiani i vitit 2024” Bekim Blakaj, Drejtor Ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë.

Çmimi i është dhënë për kontributin e tij të rëndësishëm në promovimin e ideve dhe vlerave evropiane në Kosovë.

“Për më shumë se dy dekada, Bekimi ka avokuar për drejtësi, të drejtat e njeriut dhe pajtim.  Duke besuar se paqja i gjen rrënjët në të kaluarën, Bekimi ka punuar pa u lodhur për të luftuar narrativat e njëanshme të së kaluarës dhe për të promovuar një shoqëri më të drejtë që respekton të drejtat e çdo qytetari. Ai është një model i vërtetë në Kosovë dhe më gjerë, duke mishëruar vlerat e BE-së”, tha ambasadori Szunyog gjatë pritjes së sontme për Ditën e Evropës.

Ambasadori i BE-së në Kosovë falënderoi edhe të nominuarit e tjerë për këtë vit, të cilët kanë treguar përkushtim të jashtëzakonshëm në promovimin e idesë dhe vlerave evropiane në Kosovë: Blert Morina nga CEL Kosova, Vesna Stajiq, nga streha multietnike e dhunës me bazë gjinore, dhe Mentor Gashi dhe Slavisha Stojanoviq nga Strehimorja e Qenve Prishtina.

Çmimi “Evropiani i Vitit” ndahet për të nëntin vit radhazi, me rastin e Ditës së Evropës, nga BE-ja në Kosovë një individi apo institucioni që BE-ja në Kosovë konsideron se ka kontribuar më së shumti në promovimin e idesë evropiane në Kosovë gjatë viteve të kaluara.

Derisa BE-ja në Kosovë dhe shtetet anëtare të BE-së propozojnë të nominuarit, fituesi përcaktohet përmes votave të hedhura në faqen e Facebook-ut dhe llogarinë e BE-së në Instagram në Kosovë.

Fituesit e mëparshëm të çmimit “Europiani i Vitit” janë:

2016 – Majlinda Kelmendi, kampione olimpike, botërore dhe evropiane në xhudo;

2017 – Erzen Shkololli, artist dhe kurator;

2018 – Jeton Neziraj, dramaturg dhe drejtor artistik i Qendrës Multimedia;

2019 – Kompania KIVO, sipërmarrje e përbashkët Kosovë-Hollandeze;

2020 – Lul Raka, Profesor i Mikrobiologjisë dhe Kontrollit të Infeksioneve, Universiteti i Prishtinës;

2021 – Shoqata e Matematikanëve të Kosovës;

2022 – Fahrije Hoti, sipërmarrëse;

2023 – Ledion Halitaj, pianist,