PDK-ja mirëpret vendimin e Supremes për përsëritje të votimit nga diaspora në Dragash

PDK-ja mirëpret vendimin e Supremes për përsëritje të votimit nga diaspora në Dragash

Zgjedhjet Lokale 2021 November 25, 2021 - 12:28

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Supreme, e cila ka vendosur të përsëritet votimi nga diaspora për kryetar të Komunës së Dragashit.

Sipas PDK-së, ky vendim rikonfirmoi se votat që kishin ardhur me postë për Komunën e Dragashit ishin të manipuluara, me qëllim të deformimit të rezultatit zgjedhor dhe cenimin e vullnetit të mijëra qytetarëve të Dragashit, të cilët, sipas tyre, më 14 nëntor përmes një procesi të drejtë e demokratik rizgjodhën Shaban Shabanin kryetar për mandatin e ri katërvjeçar.

“Partia Demokratike e Kosovës e vlerëson vendimin e Gjykatës Supreme dhe pret që riorganizimi i zgjedhjeve për votuesit me postë ta rikonfirmojë vullnetin e qytetarëve të Dragashit për fitoren e kryetarit Shaban Shabani”.

“Qytetarët e Dragashit, pavarësisht ku ata jetojnë, do të bashkohen dhe me vullnetin e tyre të lirë e duke mos lejuar manipulimin e vullnetit të tyre, do të votojnë për kryetarin e tyre, që ka qeverisur mirë e me transparencë për zhvillimin e kësaj komune”, thuhet në reagimin e PDK-së.

PDK-ja ka ftuar prokurorinë që të hetojë deri në fund dhe të ndëshkojë çdo person manipulues që ka guxuar të deformojë vullnetin e qytetarëve të Dragashit, të cilët jetojnë jashtë vendit.

“PDK-ja fton të gjithë qytetarët e Dragashit që do të votojnë me postë, që të votojnë lirshëm, pa presion e pa ndikime, për kryetarin e Dragashit”, thuhet në reagim. /Zëri