Vendos Supremja: Të përsëritet votimi nga diaspora në Dragash

Vendos Supremja: Të përsëritet votimi nga diaspora në Dragash

Zgjedhjet Lokale 2021 November 25, 2021 - 11:49

Gjykata Supreme ka urdhëruar KQZ-në të organizojë përsëritje të votimit nga jashtë Kosovës për kryetar të Dragashit.

Gjykata ka pranuar pjesërisht ankesën e kandidatit të LDK-së për kryetar të Dragashit, Bexhet Xheladini, ndërsa ka vendosur që të përsëritet votimi nga jashtë, duke refuzuar kërkesën e Xheladinit, që votat nga diaspora të përfshihen në rezultatin final të raundit të dytë të zgjedhjeve në këtë komunë, transmeton Zeri.info.

“I pranohet pjesërisht si e themeltë ankesa e kandidatit Bexhet Xheladini nga radhët e subjektit politik Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), në Prishtinë , Dega në Dragash, ndryshohet vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe parashtresa (PZAP) në pjesën II të dispozitivit të tij, ashtu që vendoset: Urdhërohet KQZ-ja që brenda Kornizës Ligjore (Zgjedhore) në fuqi të organizojë përsëritje të procesit të votimit nga jashtë, për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetar të Komunës në Dragash”.

“Refuzohet pjesa tjetër e ankesës së kandidatit Bexhet Xheladini nga LDK-ja që votat nga jashtë (me postë) të përfshihen në rezultatin final të zgjedhjeve, për raundin e dytë (2021), për kryetar të Komunës së Dragashit”, thuhet në vendimin e Supremes.

Kujtojmë se votat e diasporës në votimet e raundit të dytë për zgjedhjet lokale të 17 nëntorit kishin ndryshuar rezultatin zgjedhor në Komunën e Dragashit. Pas numërimit të votave nga mërgata i pari në garë ka dalë Behxhet Xheladini, nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ndërsa, me vota të rregullta këtë komunë e kishte fituar Shaban Shabani, nga PDK-ja. /Zëri

Vendimi i plotë KETU