LVV-ja në Prizren: Ditën e balotazhit pati shpërndarje të parave dhe të të mirave materiale
Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren ka kërkuar hetim në lidhje me procesin e votimit në garën e balotazhit.
Përmes një reagimi në “Facebook”, nga LVV-ja atje kanë thënë se ka pasur presione ndaj votuesve, teksa theksojnë se janë në përpilim të ankesave.
“Shtabi ynë zgjedhor është në përpilim të ankesave, bazuar në ngjarjet që kanë ndodhur në ditën e votimit. Sipas dëshmive ka pasur presione ndaj votuesve në hyrjet e vendvotimeve, tendencë për ndryshimin e vullnetit qytetar në javën e fushatës përmes shpërndarjes së parave dhe të të mirave materiale, por edhe kërcënime ndaj komuniteteve në Prizren dhe në disa regjione të Prizrenit”, thuhet në reagim.
Sipas tyre, raportimet e qytetarëve për ditën e zgjedhjeve dhe për procesin zgjedhor, lënë hapësirë për shumë dyshime që duhet të hetohen nga organet kompetente.
“Për hir të demokracisë dhe mbrojtjes së vullnetit qytetar, të gjitha rastet e përmendura duhet të hetohen, ashtu që mos të vihen në pikëpyetje themelet e demokracisë në Republikën e Kosovës”, thuhet në reagimin e degës së LVV-së në Prizren.
Kujtojmë se në Prizren, sipas rezultateve përfundimtare të publikuara sot nga KQZ-ja, fitues është konfirmuar kandidati i PDK-së, Shaqir Totaj, duke e mposhtur për rreth 1000 vota kryetarin tashmë në largim të LVV-së, Mytaher Haskukën.
Kreshnik Radoniqi, kryetar i KQZ-së, tha se të gjitha subjektet politike dhe kandidatët, në afat brenda 24 orëve, mund të paraqesin ankesat e tyre në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me rezultatet e shpallura sot. /Zëri