KQZ-ja nuk e shpall rezultatin përfundimtar për Dragashin, pret vendimin e Supremes

KQZ-ja nuk e shpall rezultatin përfundimtar për Dragashin, pret vendimin e Supremes

Zgjedhjet Lokale 2021 November 20, 2021 - 11:23

Komisioni Qendror Zgjedhor ka mbajtur mbledhjen për shpalljen e rezultateve përfundimtare për rundin e dytë të zgjedhjeve lolale.

Por, nuk ka shpallur rezultatet për komunën e Dragashit.

"Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve kanë përfunduar të gjitha procedurat e parapara në mënyrë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të shpallë këto rezultate”, ka thënë kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

“Gjatë ditës së sotme, e shtunë, KQZ ka pranuar konfirmimin nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa se KQZ mund t’i shpallë rezultatet përfundimtare të raundit të dytë të Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave, me përjashtim të rezultateve të kandidatëve për Kryetar në Komunën e Dragashit”, deklaroi kreu i KQZ-së.

Arsye për mosshpalljen e rezultateve për Dragashin është ankesa e LDK-së në Supreme për votat me postë.

“Siç e dini, të premten, PZAP ka marrë vendim lidhur me apelin e paraqitur në këtë instiucion lidhur me rezultatin e votimit jashtë Kosovës që i takon komunës së Dragashit si dhe ka lejuar ankesën në Gjykatën Supreme. Prandaj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të presë që palët të shterojnë të gjitha mundësitë brenda afateve të përcaktuara ligjore”, u shpreh Radoniqi.

Ai ka njoftuar të gjitha subjektet politike dhe kandidatët se në afat brenda 24 orëve mund të paraqesin ankesat e tyre në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me rezultatet e shpallura nga KQZ.