Pas anulimit të votave me postë, PDK-ja e fiton Dragashin me 17 vota

Pas anulimit të votave me postë, PDK-ja e fiton Dragashin me 17 vota

Zgjedhjet Lokale 2021 November 19, 2021 - 18:29

Komuna e Dragashit ende ka mbetur pa kryetar të ri pas vendimit të sotëm të PZAP-së e cila refuzoi votat e ardhura nga diaspora.

Në garë për balotazh të 14 nëntorit ishin Shaban Shabani i PDK-së dhe Bexhet Xheladini nga radhët e LDK-së.

Shabani në raundin e dytë kishte marrë 5 mijë e 648 vota, ndërsa Xheladini 5 mijë e 601 sosh, 47 vota më pak se kandidati i PDK-së, duke e bërë këtë të fundit ta konsiderojë si komunë të fituar, raporton Zeri.info.

Por, me t’u numëruar votat nga diaspora, kandidati për kryetar të Dragashit nga radhët e LDK-së, Bexhet Xheladini doli fitues pasi mori gjithsej 244 vota, në raport me 54 nga kundërkandidati i tij, Shaban Shabani i PDK-së.

Po ashtu, dje janë numëruar edhe votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta, nga të cilat kandidati i LDK-së mori 121 vota, derisa ai i PDK-së, 91 vota.

Ndërkaq, sot Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka anuluar të gjitha fletëvotimet e dërguara përmes postës në Komunën e Dragashit.

Kjo, pasi Shaban Shabani ka dërguar ankesë në PZAP, i cili pretendon se pjesa më e madhe e zarfeve me fletëvotime nga diaspora për këtë komunë kanë ardhur nga Austria, Zvicra dhe Gjermania, e të cilat sipas tij kanë qenë të organizuara nga tre persona të cilët i kanë plotësuar të shumicën e zarfeve.

“Parashtruesi i ankesës më tej pretendon se pjesa më e madhe e zarfeve me fletëvotime të supozuara që kanë ardhur nga Austria, Zvicra dhe Gjermania janë të organizuara nga më së shumti tre persona, të cilët lehtësisht evidentohen me zarfet e mbishkruara me dorën e njëjtë nga i njëjti person për venddërgesa të ndryshme si Llinc-Donau, Haid bej Ansfelden, nga Viena dhe Cyrihu, të cilat në postë janë dërguar nga i njëjti person brenda disa minutave”, thuhet më tej në njoftimin e PZAP-së.

Me këtë vendim të PZAP-së, komunën e Dragashit e fiton sërish PDK-ja me 5 mijë e 739 vota, në raport me ato të kandidati të LDK-së, i cili ka marrë 5 mijë e 722 vota, që i bie 17 vota më pak se Shabani. /Zëri