PZAP-i anulon të gjitha fletëvotimet e dërguara përmes postës në Dragash

PZAP-i anulon të gjitha fletëvotimet e dërguara përmes postës në Dragash

Zgjedhjet Lokale 2021 November 19, 2021 - 17:24

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka anuluar të gjitha fletëvotimet e dërguara përmes postës në Komunën e Dragashit.

Sipas PZAP-së, është pranuar e bazuar ankesa e kandidati për kryetar të Komunës së Dragashit nga radhët e PDK-së, Shaban Shabani.

“Pranohet e bazuar ankesa e kandidatit për kryetar të Komunës së Dragashit, Shaban Shabani, nga radhët e subjektit politik Partia Demokratike e Kosovës, me seli në Prishtinë, dega në Dragash, e cila mban shenjën Anr.1143/2021 e datës 17.11.2021, Anulohen të gjitha fletëvotimet e dorëzuara përmes postës, për Raundin e Dytë të Zgjedhjeve Lokale të mbajtura më datë 14.11.2021, për kryetar të Komunës në Dragash”, thuhet në njoftim.

Sipas ankesës së Shabanit, ai pretendon se pjesa më e madhe e zarfeve me fletëvotime janë ardhur nga Austria, Zvicra dhe Gjermania, të cilat janë të organizuara nga tre persona.

“Parashtruesi i ankesës më tej, pretendon se pjesa më e madhe e zarfeve me fletëvotime të supozuara që kanë ardhur nga Austria, Zvicra dhe Gjermania janë të organizuara nga më së shumti tre persona, të cilët lehtësisht evidentohen me zarfet e mbishkruara me dorën e njëjt nga i njëjti person për vend dërgesa të ndryshme si Llinc-Donau, Haid bej Ansfelden, nga Viena dhe Cyrihu, të cilat në postë janë dërguar nga i njëjti person brenda disa minutave”, thuhet më tej në njoftimin e PZAP-së. /Zëri