PDK-ja në Dragash i quan të manipuluara votat e diasporës
Dega e PDK-së në Dragash ka reaguar pas numërimit të votave nga diaspora, nga të cilat del se LDK-ja në këtë komunë ka marrë më shumë vota me postë, gjithsej 244, teksa Shaban Shabani i Partisë Demokratike të Kosovës ka marrë 54 vota.
Sipas PDK-së, këto vota janë të manipuluara.
“Nga ajo që sot pamë në QNR nga vëzhguesit tanë, shumica e votave me postë që kanë ardhur për Komunën e Dragashit, janë vota të manipuluara, të mbushura nga një dorë e vetme. Po ashtu, shihet qartë që zarfet janë të shënuara nga e njëjta dorë”, thuhet në njoftim.
Dega e PDK-së i ka bërë thirrje Prokurorisë që të fillojë hetimet sa më parë, teksa ka shkruar se janë të gatshëm t’i ofrojnë të gjitha informatat që i posedojnë.
“Nga ajo që u pa nga vëzhguesit por edhe nga mediat, u vërtetua informacioni që ka qarkulluar tash e disa ditë në Dragash, që pronarët e një agjencie turistike kanë mbushur zarfet dhe i kanë shpërndarë ato në 4 posta të ndryshme në Austri e Gjermani. Ne i bëjmë thirrje Prokurorisë që të fillojë hetimet sa më parë dhe t'i jepet fund keqpërdorimeve me votat me postë. Jemi të gatshëm t'i ofrojmë Prokurorisë gjithë informatat që i posedojmë për këtë krim ndaj demokracisë. Askush nuk mund ta deformojë vullnetin e mijëra votuesve të Dragashit”, thuhet në reagimin e PDK-së në Dragash. /Zëri