Një ditë pas fitores, Rama qytetarëve të Prishtinës: Ju dua!
Një ditë pasi rezultatet preliminare të KQZ-së e shpallën fitues në Prishtinë, Përparim Rama ka dalë me bashkëshorten e tij për shëtitje në Prishtinë.
Rama ka thënë se me fitoren e tij ka fituar secili banor në qytet e fshat, që sipas tij ka zgjedhur zhvillimin dhe transformimin e kryeqytetit.
“Prishtina ime e zemrës! Kjo fitore është e jotja! Sot fitoi secili banor, në qytet e në çdo fshat! Vota jote më fuqizon me privilegjin e të qenit Kryetar i Prishtinës, e që nuk është kryetar veç i një tjetër komune, po i vetë kryeqytetit të Kosovës. Të kryeqytetit, që ka zgjedhur zhvillimin dhe transformimin dhe që duke qenë i krejt Kosovës ka për ta llogaritur gjithë Kosovën në planifikimin e vet të gjithmbarshëm komunal”, ka shkruar Rama në “Facebook”.
Ai është shprehur mirënjohës për besimin, duke thënë se kjo “fitore nuk do të ishte e mundshme pa besimin dhe angazhimin maksimal të një mori njerëzish që më besuan e më ndihmuan në sipërmarrjen time të fushatës”.
Ai ka falënderuar edhe bashkëshorten e tij, Kristale Ramën për mbështetjen që ia ka dhënë, ndërsa ka shtuar se nga sot fillon një epokë e re në kryeqytet.
“I jam thellësisht mirënjohës për punën e palodhshme ekipit tim të mrekullueshëm! Por nuk mundem pa e falënderu në veçanti, ma të dashurën time, Kristale Ramën, banoren më të re të Prishtinës, për besimin dhe përkrahjen e saj të vazhdueshme. Ju përulem para privilegjit e përgjegjësisë që ma keni dhënë. Ju përulem me sinqeritet e me shumë dashni, dhe ju jap fjalën që secilën ditë si kryetari juaj do të punoj për jetësimin e plotë të krejt projekteve që i kam premtuar. Sot fillon një epokë e re – ajo në të cilën ne të gjithë, bashkë, do t’i dalim zot vetvetes. Ju dua!”, ka shkruar Rama. /Zëri