PDK-ja në Prizren: Qytetarët kanë votuar për ndryshim, por është herët për të festuar
PDK-ja është shprehur e bindur se qytetarët në Prizren kanë votuar për ndryshim.
Anëtari i PDK-së në Prizren, Kujtim Shala, në një konferencë për media ka falënderuar të gjithë qytetarët që shfrytëzuan të drejtën e tyre për të votuar, që sipas tij është votë për ndryshim të qeverisjes në këtë komunë, transmeton Zeri.info.
Shala tha se akoma nuk është koha për festë, pasi presin rezultatin preliminar nga KQZ-ja.
“Është shumë e rëndësishme që keni dalë për të votuar për ndryshim, shpreh mirënjohje për të gjithë. Nuk është koha për të festuar akoma, pasi nata nuk ka mbaruar, akoma duhet të presim numërimin e votave dhe shpalljen e rezultateve të tyre. Ditë të mira po vinë për Prizrenin, dëgjohemi shumë shpejt pasi t’i kemi rezultate e para nga qendrat e votimit”, tha Shala në konferencën për media. /Zëri