Kurti fton qytetarët të dalin të votojnë: Po përmbyllet një vit i suksesshëm dhe i mirë elektoral
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sapo ka votuar në qendrën e votimit në Fakultetin Juridik të Prishtinës, raporton Zeri.info.
Kurti ka ftuar qytetarët me të drejtë vote që të shfrytëzojnë mundësinë e ta përdorin këtë rast për të zgjedhur ndërmjet udhëheqësve që janë përcaktuar, raporton Zeri.info.
“Unë si qytetar i Republikës dhe banor i kryeqytetit posa votova, ushtrova të drejtën demokratike për të zgjedhur kryetarin e komunës që do të qeverisë në katër vjetët në vijim. Komuna është shumë e rëndësishme, në njërën anë ajo publikja e lagjes dhe në anën tjetër është qeliza e Republikës. I inkurajoj të gjithë qytetarët me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë mundësinë ta përdorin këtë rast dhe të përcaktohen për veten e tyre nëpërmjet udhëheqësve të cilët do t’i zgjedhin sot”, tha ai.
Kryeministri Kurti tha se mekanizmat shtetërorë do të përkujdesen për mbarëvajtjen e procesit.
“Moti është shumë i bukur dhe pa të reshura, andaj pjesëmarrja sa më masive është e pritshme. Mekanizmat shtetërorë do të përkujdesen për mbarëvajtjen e procesit me respektim të ligjit dhe rregullave”, tha Kurti.
Shefi i ekzekutivit tha se sot po përmbyllet një vit i suksesshëm dhe i mirë elektoral.
“Sot po e përmbyllim një vit të suksesshëm dhe të mirë elektoral, i cili nisi me zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, vazhdoi me zgjedhjet lokale të 17 tetori dhe sot e kemi balotazhin. Republika e Kosovës ka dëshmuar se është shtet demokratik, në të cilën respektohen të drejtat e qytetarëve”, tha Kurti. /Zëri