Krasniqi përmbyll fushatën në Prizren: Ndryshimi po vjen me Shaqir Totajn

Krasniqi përmbyll fushatën në Prizren: Ndryshimi po vjen me Shaqir Totajn

Zgjedhjet Lokale 2021 November 12, 2021 - 21:47

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka përmbyllur fushatën elektorale të balotazhit të Zgjedhjeve Lokale në bastionin e kësaj partie, në Prizren.

Krasniqi është shprehur i lumtur për entuziazmin e madh që pa në këtë qytet në mbështetje të kandidatit të PDK-së Shaqir Totaj.

“Ditët e qeverisjes depresive në Prizren kanë marrë fund. Prizrenit po i vjen kryetari që i duhet, për ta rikthyer në binarë të zhvillimit e perspektivës. Shaqir Totaj do të punojë për qytetarët, për të rinjtë e të rejat, për ata që e duan këtë qytet me zemër, e që e duan një kryetar kompetent e të ndershëm, që qeverisë me dinjitet e integritet, për ta, për familjet e tyre, për të ardhmen e fëmijëve të tyre.”, tha Krasniqi.

Lideri i PDK-së theksoi se kjo parti Prizrenin nuk e ka parë vetëm si komunë, por si vend që i bën bashkë, në aktivitet qytetar, civil, shpirtëror, kulturor, historik e identitar.

“Siç kemi ditur të rreshtohemi fuqishëm në projektet e mëdha politike për Kosovën, tani po rreshtohemi fuqishëm së bashku, për Prizrenin dhe qytetarët e tij. Prandaj, të gjithë qytetarët e Prizrenit pa dallim, me 14 nëntor, do ta bëjnë dallimin e madh dhe rikthimin e duhur, për Prizrenin që na bashkon. Shaqir Totaj është shpresa e këtij qyteti, e pas 14 nëntorit, edhe adresa e parë e tij. Ndryshimi po vjen.”, përfundoi Krasniqi. /Zëri