Sfida e LVV-së për t’i mbajtur komunat ku udhëheq
Prishtina, Prizreni, Gjilani dhe Podujeva konsiderohen të jenë komunat ku Lëvizja Vetëvendosje do të zhvillojë garën më serioze në balotazh të dielën më 14 nëntor, vlerëson Emir Abrashi nga organizata Demokracia Plus.
Fitorja eventuale e Lëvizjes Vetëvendosje në të paktën tri komuna do të ishte sukses për këtë parti, shpreh mendimin njohësi i zhvillimeve politike, Arton Demhasaj.
Rundi i dytë i zgjedhjeve lokale do të mbahet në 21 komuna. Për 17 komuna të tjera fituesi është vendosur në rundin e parë më 17 tetor.
Lëvizja Vetëvendosje në rundin e 17 tetorit nuk ka arritur të fitojë në asnjë komunë të Kosovës, derisa do të garojë në balotazh në 12 komuna. Kjo parti, bazuar në numrin e votave që ka marrë në rundin e parë të zgjedhjeve, prin në Prishtinë, Prizren, Gjilan dhe në Shtime.
Në Prishtinë, kandidati i LVV-së, Arben Vitia, do të garojë me Përparim Ramën e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në Prizren kandidati i LVV-së, Mytaher Haskuka, do të garojë me Shaqir Totajn nga Partia Demokratike e Kosovës.
Në Gjilan Alban Hyseni nga LVV-ja do të ketë kundër-kandidat Lutfi Hazirin nga LDK-ja. Në komunën e Podujevës, Shpejtim Bulliqi, nga LVV-ja do të garojë me Ekrem Hysenin nga LDK-ja.
Kandidatët e LVV-së për të parin e komunës do të jenë në garë edhe në komunën e Obiliqit, Gjakovës, Kaçanikut, Fushë Kosovës, Kamenicës, në komunën e Vitisë, Rahovec dhe në Podujevë.
“LVV-ja me përgjysmim të votave”
Abrashi dhe Demhasaj vlerësojnë se partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e ka të pamundur të ruajë mbështetjen, të cilën e kishte pasur në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit të këtij viti, kur fitoi mbi 50 për qind të votave, apo më shumë se 438 mijë vota.
Në rundin e parë të zgjedhjeve lokale, LVV-ja ka marrë mbi 168 mijë vota për kuvendet komunale, dhe është partia e dytë më e votuar pas Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila ka marrë mbi 170 mijë vota.
Abrashi nga organizata Demokracia Plus, nuk pret që LVV-ja mund të shënojë rezultat të mirë apo të fitojë në komuna tjera ku është në garë.
“Megjithatë, LVV-ja vazhdon të ketë mbështetje solide te qytetarët e Kosovës në të gjitha këto komuna ku është në balotazh, por ne do të shohim më 14 nëntor nëse qytetarët do ta ndëshkojnë LVV-në dhe kryeministrin Albin Kurti, i cili e ka nisur qeverisjen me një arrogancë të numrave dhe do të shohim nëse do të përçojnë mesazh që të marrë seriozisht qeverisjen”, thotë Abrashi.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni KËTU