Rama Vitisë: Qeveria po humb kohë duke dalë në fushatë me ju, e prita edhe Kurtin në debat
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, i ka thënë sot kundërkandidatit të tij nga Lëvizja Vetëvendosje, Arben Vitia, se e gjithë Qeveria po humb kohë duke bërë fushatë për të.
Rama e ka përmendur gjatë debatit televiziv në “Klan Kosova” rastin kur në shesh u pa Vitia me kryeministrin Albin Kurti dhe disa ministra në fushatë, ndërsa i tha se ka pritur që kryeministri ta shoqërojë edhe në këtë debat, transmeton Zeri.info.
“Ne nuk i humbim kohë qeverisë, siç humb kohë qeveria tani me ju, ku e kemi kryeministrin e gjashtë ministra të tjerë të cilët humbin kohë me ju, ndërsa nuk janë duke kryer punë të tjera me Kosovën. Unë sot e prita edhe Kurtin këtu, mendova se po vjen me ju shoqëru”, tha Rama.
Kandidati i LDK-së Rama ka insistuar që të marrë përgjigje nga Vitia se në rast se ai zgjidhet kryetar i Prishtinës, a do të thotë se Qeveria nuk do ta ndihmojë atë për ta zhvilluar kryeqytetin, por kjo është mohuar nga Vitia. Megjithatë, ai ka thënë se është përparësi të jesh kandidat i partisë që ka pushtetin qendror. /Zëri