Shaqir Totaj siguron edhe mbështetjen e Behgjet Pacollit në Prizren
Kandidati për kryetar të Prizrenit nga radhët e PDK-së, Shaqir Totaj, ka pritur sot në takim kreun e AKR-së, Behgjet Pacolli.
Gjatë këtij takimi Totaj ka thënë se Prizreni e bashkon me të gjithë ata që dëshirojnë ta sjellin ndryshimin në këtë qytet.
“Sot në Prizren prita edhe kryetarin e Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, me të cilin folëm për bashkëpunimin tonë në qeverisjen e Prizrenit nesër. Marrëveshja jonë është parimore dhe e tillë do të jetë edhe qeverisja për të gjithë qytetarët, pa dallim. Prizreni na bashkon rreth ndryshimit që po vjen”, ka thënë Totaj.
Në anën tjetër, kreu i AKR-së Behgjet Pacolli ka thënë se Shaqir Totaj është kryetari për të cilin ka nevojë Prizreni sot.
“Prizreni ka nevojë për ndryshim dhe këtë ndryshim më së miri e prezanton Shaqir Totaj. Bashkë do të bëjmë punë të mira, me dinjitet e do ta zhvillojmë qytetin e Prizrenit”, ka thënë Pacolli. /Zëri