352 apele janë paraqitur në PZAP nga kandidatet për asamblistë kundër vendimit të KQZ-së
352 apele janë paraqitura nga kandidatet për anëtarë të Kuvendeve Komunale kundër vendimit të KQZ-së për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 17 tetorit.
Kështu ka bërë të ditur PZAP-ja përmes një njoftimi, transmeton Zeri.info.
“Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), në seancat e mbajtura me datat 5, 6 dhe 7 Nëntor 2021, brenda afatit ligjor prej 72 orëve ka vendosur lidhur me 352 apele të paraqitura nga kandidatet për anëtarë të Kuvendeve Komunale kundër Vendimit të KQZ-së për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve”.
“Pas këtij afati 72 orësh, në vazhdim, jemi në proces të dërgimit të kopjeve fizike të vendimeve të gjithë ankuesve, në mënyrë që të njëjtit të shfrytëzojnë të drejtën eventuale të ankimit të këtyre vendimeve në afat prej 24 orësh prej momentit të pranimit të tyre, në Gjykatën Supreme të Kosovës”, thuhet në njoftimin e PZAP-së.
Për me tepër, për mënyrën e vendimmarrjes, PZAP ka bërë të ditur se publiku nesër me kohë do të informohet, përmes një njoftimi tjetër. /Zëri