Shaqir Totaj përkrahet edhe nga PLE-ja e Veton Berishës
Kandidati për kryetar të Prizrenit nga radhët e PDK-së, Shaqir Totaj, është përkrahur nga Veton Berisha i Partisë Liberale Egjiptiane, për balotazhin e 14 nëntorit. Ai u shpreh falënderues për mbështetjen e Berishës dhe besimin në programin e tij, njofton Klankosova.tv.
“Përkrahjen për balotazh e kam siguruar edhe nga Partia Liberale Egjiptiane, e cila u bë pjesë e vizionit për ndryshim që së bashku me qytetarët do të fitojë me 14 nëntor. Falënderoj kryetarin e PLE, Veton Berisha, për besimin në programin tonë dhe mbështetjen për të qeverisur mirë e përgjegjshëm në Prizren. Së bashku ndërtojmë Prizrenin e të gjithëve.” shkroi Totaj në një postim në Facebook.
Kandidati i PDK-së për të parin e Prizrenit ka siguruar mbështetjen e Nismës, AAK-së dhe AKR-së për rundin e dytë të balotazhit. Në një ceremoni zyrtare janë nënshkruar marrëveshjet e koalicionit ndërmjet Totajt, kryetarit të NISMA-s Zafir Berisha, kryetarit të degës së AAK-së Lulzim Kabashi dhe atij të AKR-së Afrim Tejeci.