Vitia: E kam ditur se do të shkojmë në balotazh
Kandidati për kryetar të Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje, Arben Vitia ka treguar se ka qenë në dijeni që nuk do të arrijë ta fitojë Prishtinën qysh në raundin e parë të zgjedhjeve lokale.
Kjo për faktin se Vitia, për dallim nga kundërkandidatët e tij, i është futur garës me vonesë, çka thotë ta ketë penalizuar.
“Raundi i parë për shkak të vonesës sime në fushatën për zgjedhjet e 17 tetorit e bëri të vetën, ishin diku rreth më pak se dy javë në fushatë dhe natyrisht pritjet e mija kanë qenë që qytetari i Prishtinës të reflektojë ashtu siç ka reflektuar dhe mendoj që është një rezultat real dhe i pritshëm bazuar në kulturën demokratike dhe emancipimin që e ka qytetari i Komunës së Prishtinës (…) Sepse me 14 ditë fushatë natyrisht qytetari i Prishtinës ka kërkuar më shumë, edhe elaborim të programit por edhe paraqitje time më të shumtë në fushatë,”– tha ai në ATV.
Vitia i cili ka marrë 42.33% të votave në raundin e parë të zgjedhjeve lokale do të garojë në balotazh me kundërkandidatin e tij nga LDK, Përparim Rama i cili ka arritur t’i grumbullojë vetëm 29.35% të votave në kryeqytet.