Mbi 90 mijë vota të pavlefshme në zgjedhjet e 17 tetorit
Nga zgjedhjet e 17 tetorit kanë dal të jenë mbi 90 mijë fletëvotime të pavlefshme.
Eugent Cakolli nga KDI, ka thënë se është shqetësuese trendi i lartë i votave të pavlefshme në këto zgjedhje, ku në bazë të rezultateve të KQZ-së del se janë 90,289 fletëvotime të pavlefshme dhe të zbrazëta në nivel vendi.
“Prej tyre, PLOT 70 MIJË (mesatarja në nivel vendi 8.56%) janë vetëm për kuvendet komunale - që paraqet edhe pjesën më problematike. Komunat me përqindjen më të lartë të votave të pavlefshme janë Ranillugu (18.75%), Graçanica (15.70%), Drenasi (11.48%), Parteshi (11.36%), Mitrovica e Jugut (10.48%) dhe Obiliqi (10.43%). Në anën tjetër, komunat me përqindjen më të vogël janë Leposaviqi (2.72%), Zveçani (2.82%) dhe Mamusha (4.08%)”, ka shkruar Cakolli
Sipas Cakollit, kjo situatë është e papranueshme dhe duhet të adresohet menjëherë, duke punuar në ndryshimin e dizajnit të fletëvotimeve, rikonceptimin e kampanjave për informim të votuesve lidhur me mënyrën e votimit, por gjithsesi duke mos anashkaluar edhe rishikimin e sistemit të votimit në zgjedhjet lokale në tërësi. /Zëri