LDK-ja e PDK-ja me nga 206 asamblistë në kuvendet komunale, LVV-ja me 193
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve Lokale për 38 Kuvendet Komunale, të cilat u mbajtën më 17 tetor 2021.
Sipas këtyre rezultateve, del se LDK-ja dhe PDK-ja kanë siguruar më së shumti asamblistë – nga 206 secila në nivel vendi.
Sa i përket votave për këshilltarë komunalë, LDK-ja ka arritur të renditet e para me 170,134 vota, e pasuar nga LVV-ja me 168,084, kurse PDK-ja ka dalë e treta me 161,645 vota.
LVV-ja, me këtë rezultat, ka siguruar 193 ulëse në kuvendet komunale.
AAK-ja me 90863 vota, do të ketë 120 asamblistë.
Nisma ka fituar 21 ulëse, ose 18,455 vota.
AKR-ja do të përfaqësohet me vetëm 8 asamblistë pasi ka marrë vetëm 10,277 vota.
Lista e pavarur Bekim Jashari do të ketë në Skenderaj 10 ulëse pasi ka marrë 6694 vota.
Kurse Lista Serbe në komunat me shumicë serbe ku ka garuar do të përfaqësohet nga 147 këshilltarë komunalë. /Zëri