Rama e sfidon Vitinë të garojë me “plane konkrete” e jo “me kopje të plogështa e me hajgare”

Rama e sfidon Vitinë të garojë me “plane konkrete” e jo “me kopje të plogështa e me hajgare”

Zgjedhjet Lokale 2021 November 03, 2021 - 15:20

Kandidati i LVV-së për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia, dje publikoi një video, ku tregonte për projektet që planifikon t’i realizojë në qendrën e qytetit.

Por gjatë shpalosjes së idesë për një park të gjelbër, ai përqeshi planet e kundërkandidatit të tij nga LDK-ja, Përparim Rama, i cili pati përmendur rrënimin e stadiumit “Fadil Vokrri” për ndërtimin e një liqeni artificial.

“... Na duhet shumë hapësirë për parkun. Prandaj do ta rrënojmë Pallatin e Rinisë, do ta rrënojmë Stad... (qesh)... Natyrisht se nuk do t’i rrënojmë, sepse këto janë monumente shumë të rëndësishme të historisë sonë, të cilat ne do t’i mirëmbajmë dhe do t’i zhvillojmë”, tha Vitia në këtë video.

E ndaj kësaj videoje pati reagime nga kampi i LDK-së.

Doktor lazdrak e aktor të dobët e quajti Arben Vitinë kandidati për Kuvend Komunal nga LDK-ja, Bardh Krasniqi, duke iu referuar videos së këtij të fundit.

“Një doktor i lazdruar, tash edhe aktor i dobët e përqeshës i projekteve shumë domethënëse për të mirën e qytetit dhe të qytetarëve, të cilat po ashtu i ka vjedhur, na e forcon edhe më shumë bindjen që mindilin do ta përdor për t'i fshirë lotët dhe qyrrat e tij më 14 Nëntor! Falënderojmë agjencinë e marketingut që na zbavit me futjen e Benit lazdran në rol të Uranit, e këtij të parit përnime nuk p’i rrin”, ka shkruar Krasniqi.

E reagim sot pati edhe nga vetë Rama, teksa foli gjatë një konference për media për planin e tij për lidhjen e lagjes “Arbëria” me qendrën e qytetit.

Ai thumboi kundërkandidatin e tij se po ia vjedh projektet e programit të tij.

“Fatkeqësisht, jeni duke parë prej kundërkandidatit copëza të kopjuara prej projekteve të programit tonë, e të kthyera në video të shtrenjta për ta mashtruar qytetarin. Flet për një fushë të gjelbëruar pa përkrahje infrastrukturore, duke e zhdukur edhe një prej parkingjeve më kyçe të qytetit. Një ndeshje futbolli do të krijonte kaos në këtë zone dhe do t’ua vështirësonte tifozëve qarkullimin, të cilët nuk do të kenë as vend për t'i parkuar makinat e tyre. Kjo dëshmon edhe një herë që pushteti aktual, i cili deri me tani as nuk veproi, e as nuk e përmendi parkun qendror, u kujtua për këtë projekt VETËM pasi u planifikua dhe u prezantua nga ne. Kjo, po ashtu dëshmon se kundërkandidati im, përveçse nuk ka njohuri për të krijuar një plan konkret për kryeqytetin, nuk do të ishte as i aftë për ta realizuar atë. Kjo pjesë e qytetit kërkon plan serioz, të cilin ne e prezantuam MUAJ më parë, dhe i cili përveçse do të ketë gjelbërimin, do të ndërlidhë lagjen ‘Arbëria’ me qendrën dhe do të ketë hapësirë të mjaftueshme parkimi për vizitorët e parkut, sallës koncertale dhe të Pallatit të Rinisë, si dhe tifozëve gjatë ndeshjeve futbollistike”, tha mes të tjerash Rama.

Ndërkohë, ai i bëri ftesë Vitisë të bëjë garë me plane konkrete dhe projekte serioze, “e jo me kopje të plogështa e me hajgare”.

“Menaxhimi i qytetit është çështje serioze dhe duhet te merret si e tillë. Postet publike janë përgjegjësi serioze dhe kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve, dhe si të tilla duhet të merren me seriozitetin më të madh e jo me hajgare”, potencoi Rama.

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, shpalosi në detaje projektin e tij “Ridefinimi i Qendrës”, duke u fokusuar në ndërtimin e platformës së gjelbëruar ndërlidhëse prej Pallatit të Rinisë, përmbi rrugën kryesore e deri te lagjja “Arbëria” për të vazhduar deri te sheshi “Zahir Pajaziti”.

Sipas Ramës, vlera e këtij projekti është 35 milionë euro, prej të cilave 20 milionë do të sigurohen nga fondet IPA (për sallën koncertale) dhe 15 milionë të tjera nga investimet publiko-private për parkingjet nëntokësore dhe për shiritin komercial.

Më tej, Rama theksoi se projekti në fjalë do të realizohet brenda tre vjetëve. /Zëri