Rama shpalos planin që për 7 minuta qytetarët të kryejnë shërbime në qendër të kryeqytetit

Rama shpalos planin që për 7 minuta qytetarët të kryejnë shërbime në qendër të kryeqytetit

Zgjedhjet Lokale 2021 November 01, 2021 - 13:38

Kandidati i LDK-së për kryetar të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, në një konferencë për medie ka folur për ridefinimin e qarkullimit në qendër të kryeqytetit.

Sipas tij, për shtatë minuta qytetarët do të mundë t’i kryejnë të gjitha punët në qendër.

Rama ka thënë se Prishtina është e banorëve të saj, por gjithashtu është si kryeqytet i vendit në të qarkullon e gjithë Kosova.

"Andaj, njerëzit me të drejtë ankohen për mbingarkesën e trafikut, mungesa e hapësirave publike, mungesën e shkollave dhe të çerdheve afër vendbanimeve, ose pamundësia e gjetjes së një vendparkimi edhe pasi kanë arritur në destinacion. Si rrjedhojë, për shkak të mbingarkesës në qytet, në Prishtinë nuk është fort e lehtë me qarkullu lirshëm, as në këmbë, as me transport alternativ ose urban", tha Rama.

Sipas tij, ky projekt vjen si zgjidhje ideale e shumë problemeve urbane, të cilat ndërlidhen ngushtë me njëra-tjetrën.

“Me riorganizimin e qendrës së qytetit, që parasheh si Qendër të re të Prishtinës të gjithë Rrethin Qendror, i cili do të tangjetohet nga 6 pika kyçe me parkingje nëntokësore, Prishtina do të shndërrohet në ‘7 minuta qytet’”.

“Ky nocion nënkupton që secila pikë përbrenda qendrës, pra gjithçka që i nevojitet qytetarit brenda qendrës së Prishtinës, qoftë kjo shkollë, çerdhe, vend i punës, shërbim, hapësirë e gjelbëruar, kinema apo shfaqje teatrale, do të jetë vetëm 7 minuta larg në këmbë ose me transportin alternativ dhe të autobusëve urbanë, të cilët do të qarkullojnë në një frekuencë brenda 7 minutave”, tha Rama.

Ai shtoi se lagjet përreth do të kenë qasje të lehtë e më të shpejtë në këtë zonë të qendrës.

“Projekti i ridefinimit të Qendrës së qytetit, duke e vendosur në fokus këmbësorin dhe transportin alternativ, do të na mundësojë një jetë më cilësore e më të shëndetshme, e do të na lejojë të shijojmë përjetime pozitive në përditshmërinë tonë”.

“Gjithashtu ju bëj me dije se gjatë ditëve në vijim, do të vazhdojmë takimet në të gjitha pjesët e qytetit për t’ju informuar më detajisht për projektet tona për Prishtinën praktike, të pastër dhe të përjetimeve”, shtoi Rama. /Zëri