Balotazhi në Prizren, Anton Quni tregon qëndrimin e LDK-së

Balotazhi në Prizren, Anton Quni tregon qëndrimin e LDK-së

Zgjedhjet Lokale 2021 October 29, 2021 - 22:28

Ish-kandidati për kryetar të Prizrenit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Anton Quni, ka treguar se ende nuk kanë vendosur se kë do ta mbështesin për balotazh në këtë komunë.

Ai bëri të ditur se në javën që vjen do të hapet si temë brenda kryesisë dhe do të finalizohet shumë shpejt qëndrimi i tyre.

“Me njërin kandidat kemi përvojë, është një periudhë kur kemi bashkëqeverisë mirë, dhe pastaj krijohet një situatë e re kur me një vendim të njëanshëm të Zotit Haskuka, sipas tij me urdhër nga qendra fillon një periudhë e hidhur, një përvojë e hidhur. Dhe kemi kandidatin tjetër për të cilin nuk mund të jap vlerësim paraprak, se kam pa në situata sfiduese se si do e menaxhonte situatën.” u shpreh Quni për Klan Kosovën.

Ai tutje shpjegoi se ka mendime të ndryshme se kush duhet të mbështetet dhe së në bazë të vullnetit të shumicës do të vendoset. Gjithashtu nuk përjashtoi se mund të vendoset të mos përkrahet asnjëri kandidat.

“Është kapitalizu shumë nga Vetëvendosje kur ka pas afërsi Lidhja Demokratike e Kosovës me Partinë Demokratike të Kosovës, dhe natyrisht që kësaj radhe do të jemi shumë më të kujdesshëm. Por ende pa pas mundësi me i elaburuar detajet, të gjitha këto situata kanë me u marrë parasysh gjatë vendimmarrjes.”

Ish-ministri i Mbrojtjes thotë se nuk janë të natyrës së hakmarrjes, por se për tu krijuar një koalicion i ardhshëm duhet të ndërtohet një besueshmëri.

“Theksova edhe më herët ishte një periudhë gati dy vjeçare kur ne kemi bashkëqeverisë mirë dhe ka pas rezultate të mira, posaçërisht nga ato fusha që kanë qenë të mbuluara nga kuadrot e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe është momenti që pikërisht nga kuadrot e LVV-së për shkak të ngjarjeve në qendër, shkëputjes së marrëdhënieve dhe partneritetit, menjëherë u reflektua në nivelin lokal”, tha Quni.

Ai tha se shpreson që kjo është mësim edhe për oponentët politikë, jo vetëm për LDK’në, që sipas tij kur ndërtohet një partneritet duhet të jetë i qëndrueshëm.