Zemaj: Do të fitojmë në të gjitha komunat ku jemi në balotazh, duke përfshirë edhe kryeqytetin

Zemaj: Do të fitojmë në të gjitha komunat ku jemi në balotazh, duke përfshirë edhe kryeqytetin

Zgjedhjet Lokale 2021 October 28, 2021 - 09:01

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në një intervistë për Ekonominë Online, ka thënë se LDK-ja pretendon që t’i fitojë të gjitha ato komuna që kjo parti është në balotazh.

Tutje, Zemaj tha se besimi që i ka ofruar diaspora një subjekti politik siç është LVV-ja ka rezultuar më shumë mashtrim.

Deputeti Zemaj po ashtu tha se do të fitojnë edhe kryeqytetin.

“LDK pretendon që ti fitojë të gjitha ato komuna që ka arritur rezultate të kënaqshme që është balotazhi pavarësisht atyre që i ka kaluar në raundin e parë. Të gjitha që kanë hyrë në balotazh dhe në shumicën është e para dhe do të mbetet ashtu”.

“Votat e diasporës kanë treguar që dalë ngadalë edhe puna dhe përkushtimi dhe pasqyra e një qeverie popullsite është parë që edhe diaspora një besim që i ka ofruar një subjekti politik fatkeqësisht ka rezultuar më shumë mashtrim dhe për këtë arsye nuk po shohin asnjë rezultat”.

“Andaj në këtë periudhë të shkurtër është shumë pozitive që jo vetëm por edhe për subjekte tjera është rritur besimi në raport me mërgatën tonë. Do të fitojmë në të gjitha komunat që hyjmë në balotazh përfshirë edhe kryeqytetin”.

Të dielën mbrëma ka përfunduar numërimi i votave me postë, nga totali i votave të ardhura nga diaspora, Lidhja Demokratike e Kosovës që udhëhiqet nga Lumir Abdixhiku ka arritur që të marr më shumë vota se Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, se PDK-ja e Memli Krasniqit dhe se AAK-ja e Ramush Haradinajt.

Nga totali i votave të diasporës, LDK-ja ka marrë gjithsej 3 mijë e 158 vota, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë vetëm 2 mijë e 692, AAK-ja e Haradinajt rreth 1 mijë e 500 derisa PDK-ja ka marrë pak më shumë se 1 mijë vota.

Diferencë e madhe në mes të LDK-së dhe VV-së në votat që kanë marrë nga diaspora vërehet në Komunën e Suharekës. Atje kandidati i LDK-së ka marrë gjithsejtë 711 vota, kandidati i AAK-së i dyti me 307 vota, derisa kandidati i VV-së në vendin e tretë me vetëm vetëm 147 vota.

Edhe në Komunën e Dragashit diferenca ka qenë shumë e madhe. Behxhet Xheladini i LDK-së ka arritur të marr plotë 359 vota nga diaspora, derisa kandidatja e VV-së, Kaltrina Salihu ka marrë vetëm 76 vota. PDK ka marrë vetëm 77 vota.

Edhe Peja e Istogu nuk bëjnë përjashtim. Gazmend Muhaxheri ka marrë 331 vota, derisa kandidati i VV’së, Gazmend Agusholli, ka marrë vetëm 71 vota. Derisa në Istog, LDK-ja ka 231 vota dhe VV-ja vetëm 83.

Lëvizja Vetëvendosje ka një diferencë me LDK-në vetëm në Komunën e Kamenicës. Atje VV ka marrë plotë 168 vota, derisa kandidati i LDK-së ka marrë vetëm 12 vota. Edhe në Gjilan, Alban Hyseni, ka marrë 199 vota, 100 më shumë se Lutfi Haziri i LDK-së.