Rama: Do të punoj me pasion për Prishtinën, ta kthej në një vend që lulëzon
Kandidati i LDK-së për Prishtinën Përparim Rama foli për mbajtjen e raundit final të zgjedhjeve lokale në Kosovë.
Rama theksoi se i është dedikuar 17 vjet punë Prishtinës dhe ka punuar përherë me pasion dhe se do të synojë ta kthejë kryeqytetin e Kosovës në një vend që lulëzon.
“Prishtinalitë mund ta duan edhe dikë që është jashtë politikës, e unë besoj se jam unë ai, sepse jam marrë me problemet e Prishtinës prej 17 vitesh. Jam marrë me probleme të ndryshme, edhe urbane, kam ndihmuar çdo kryetar komune që të zgjidhë problemet. Kam folur me qytetarë të Prishtinës në zona urbane dhe rurale dhe kam kuptuar se ata duan t’ja japin votën atij që mund ta besojnë. Ne gjithë kuptojmë problemet, atë me qentë endacakë, problemet me ajrin e papastër, parkingun, arsimin, shëndetësinë, janë këta si probleme të vogla, që nëse nuk i marrim me seriozitet, kthehen në probleme të mëdha.
“Lufta ime është kundër kaosit urban, jam për zgjidhje të problemeve të kryeqytetit, lufta ime nuk është personale. Kundër-kandidati im nuk mirret dot me urbanizmin e Prishtinës, për shkak edhe të profesionit. Unë e kuptoj në thelb problemin dhe vetëm unë mund ta nxjerr nga kaosi Prishtinën. Ne kemi programin më të mirë dhe do të fitojmë Prishtinën”, u shpreh Rama në Syri Tv.