Ajazi i bindur në fitore kundër Lladrovcit, nuk do të bëjë koalicion për balotazh

Ajazi i bindur në fitore kundër Lladrovcit, nuk do të bëjë koalicion për balotazh

Zgjedhjet Lokale 2021 October 24, 2021 - 16:37

Drenasi është në mesin e komunave ku qytetarët e saj do të dalin edhe një herë për të vendosur me votë se kush do të drejtoj komunën e tyre për katër vitet e ardhshme.

Sipas rezultateve të zgjedhjeve të 17 tetorit, Drenasi do të zgjedh në balotazh nëse do të vendos që Ramiz Lladrovcit nga PDK-ja të i jep mandat edhe për 4 vite apo do të zgjedh kryetar të ri Driton Ajazin nga “Demokratët për Drenasin”.

Në një prononcim për “Zeri.info”, Ajazi ka bërë të qartë se nuk do të bëjë koalicion me asnjë parti, ndërsa ka ftuar që partitë që ishin në garë ta ftojnë elektoratin që të votojnë për ndryshime në Drenas.

Ajazi është shprehur i bindur se më 14 nëntor do të materializohet kauza e tyre për ndryshim në komunën e Drenasit.

“Koalicion realisht nuk e kemi menduar, koalicioni i vetëm do të jetë vetëm me qytetarët e komunës së Drenasit, por në të njëjtën kohë i kam ftuar të gjitha partitë politike që tani nuk janë pjesë e garës me mbështet frymën e ndryshimit për të cilën qytetarët e komunës së Drenasit janë përcaktua në zgjedhjet e 17 tetorit. Koalicion zyrtar nuk do të bëjmë, do të vazhdojmë garën me kauzën që kemi nisur për ndryshim dhe besoj që më 14 nëntor do të materializohet me mbështetetjen e qytetarëve të Drenasit, por koalicion zyrtar nuk do të bëjmë me asnjë parti”, tha Ajazi për “Zeri.info”.

Ai shtoi se “Demokratët për Drenasin” nuk janë të interesuar për koalicion, pasi rrethanat e krijuara në Drenas, tregojnë se bashkimi i forcave me një parti tjetër mund të jetë i dëmshëm për ta.

“Nuk jemi të interesuar të bëjmë koalicion, sepse rrethanat e krijuara politike në Drenas tregojnë se koalicioni mund të jetë i dëmshme në raport me votuesin tonë që e kemi marrë dhe për këtë arsye unë vetëm ju kam bërë kërkesë publike që të na bashkëngjiten në kauzë dhe ta ftojnë elektoratin që të na mbështes, por ajo mbetet në çështjet e tyre të brendshme”, shtoi ai.

“Më 17 tetor shumëkush nuk ka besuar që ne do të arrijmë balotazhin, por tashmë kur e kemi arritur atë shumë qytetarë kanë shpreh gatishmërinë që të na bashkohen dhe ta shtynë përpara procesin”, tha Ajazi për “Zeri.info”.

I pyetur nëse ka pasur kontakt me kundërkandidatin e tij Ramiz Lladrovci pas zgjedhjeve të 17 tetorit, Ajazi tha se “kontakt nuk kemi pas, por jemi takuar në rrugë dhe kemi pas përshëndetje formale, jo kontakte të tjera”.

Në zgjedhjet e 17 tetorit, Ramiz Lladrovci nga PDK-ja kishte marrë 10.134 vota apo 45,62%, ndërsa Driton Ajazi nga “Demokratët për Drenasin”, 6.829 vota apo 30,74%. /Zëri