Jashari dyshon se është manipuluar procesi zgjedhor në Skenderaj
Kandidati i pavarur për kryetar të Skenderajt, Bekim Jashari ka reaguar pas rezultateve të para që e nxjerrin të dytin në këtë komunë pas kandidatit të PDK-së Fadil Nura.
Jashari në reagimin e tij ka shkruar se sondazhet nga Exit pollet dhe rezultatet nga KQZ-ja nuk përputhen, duke hedhur dyshime për manipulim të votave në këtë komunë, transmeton Zeri.info.
Ai ka hedhur dyshime pasi siç ka thënë nga vëzhguesit e tyre në vendvotime deri me tani janë raportuar për raste të fletëvotimeve të pa vulosura në rreth 11 Qendra të Votimit, situatë kjo e cila sipas tij, dëshmon për ekzistencën e blerjes se votës me sistemin e njohur si "treni bullgar".
Reagimi i plotë i Jasharit:
Të nderuar qytetarë, Mbështetja juaj në çdo takim, sondazhet e Exit Polleve në njërën anë dhe rezultati zgjedhor sipas KQZ-së, është me mospërputhje të mëdha.
Gjatë ditës kemi raportuar për parregullsi të mëdha si blerje votash, shantazhe e presion tek votuesit.
Nga vëzhguesit tonë në vendvotime deri me tani janë raportuar për raste të fletëvotimeve të pa vulosura në rreth 11 Qendra të Votimit, situatë kjo e cila dëshmon për ekzistencën e blerjes se votës me sistemin e njohur si "treni bullgar".
Po ashtu mungesa e komisionerëve nga subjekti jonë politik ka dëmtuar jashtëzakonisht shumë votën tonë.
Idealit dhe Drenicës duket se me manipulime, blerje votash iu vjedh fitorja dhe e ardhmja nga ata që janë pasuruar duke vjedhur Kosovën.
Pas mbledhjes së fakteve të shumta për manipulime do të kërkojmë drejtësi për manipulimet e bëra në këto zgjedhje në Skenderaj.
Ne do të presim numrin e votës se fundit për të dalur me njoftimin e ri.
I juaji çdo herë Bekim Jashari!