KQZ-ja njofton për nisjen e numërimit të votave
Pas mbylljes së vendvotimeve në mbarë vendin, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se ka nisur numërimi i votave për zgjedhjet lokale.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se tani duhet të respektohen procedurat e votimit nga personat e angazhuar në zgjedhje.
“Ka filluar procesi i numërimit të fletëvotimeve, anëtarët e këshillave të votimit duhet të zbatojnë të gjitha procedurat e numërimit”, tha Radoniqi në një konferencë për media.
Më herët zyrtarë të KQZ-së kanë bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se rezultatet preliminare pritet të publikohen sonte.
Dalja në zgjedhje, sipas të dhënave të KQZ-së, ishte 43 për qind, shifër e ngjashme me daljen në zgjedhjet lokale të vitit 2017.
Gjatë zgjedhjeve koalicioni i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim tha se nuk është regjistruar ndonjë incident që do të mundë të cenonte integritetin e zgjedhjeve.