Abdixhiku në përmbyllje të fushatës: 17 tetorin do ta kujtojmë si datë e ditë të triumfit tonë politik
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka përmbyllur fushatën zgjedhore prej një muaji për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.
Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku ka thënë se po e mbyll fushatën me bindjen e plotë se lidhja e tyre vazhdon.
"Kam thënë gjithherë se po dëgjojmë e po rikthehemi, sonte të gjithë e ndjejmë se ku kemi arritur e kush në të vërtetë jemi. Po e mbyllim fushatën me bindjen e plotë se Lidhja jonë e madhe vazhdon. Ajo është lidhje me njëri-tjetrin, lidhje për komunat e lidhje për të gjithë vendin", ka shkruar ai. /Zëri
Postimi i plotë i tij:
Të dashur qytetarë,
Sonte, po e përmbyllim një fushatë të zakonshme për nga rendi kalendarik, por të jashtëzakonshme për nga rëndësia e qyteteve tuaja, të ardhmes tuaj e të familjeve tuaja.
Kam thënë gjithherë se po dëgjojmë e po rikthehemi, sonte të gjithë e ndjejmë se ku kemi arritur e kush në të vërtetë jemi. Po e mbyllim fushatën me bindjen e plotë se Lidhja jonë e madhe vazhdon. Ajo është lidhje me njëri-tjetrin, lidhje për komunat e lidhje për të gjithë vendin.
Kandidatët tanë janë njerëzit tuaj. Sikurse ju, ata ndajnë të njëjtat halle e brenga me ju. Sepse komunën, qytetet, fshatrat e lagjet tuaja i mbajnë si familjet e tyre të vërteta. Prandaj, mbështetni ata. Rrugëtoni me ta. Ndërtoni të ardhmen tuaj bashkë me ta.
Të dashur veprimtarë e veprimtare të LDK-së,
Kandidatë për komunë e kandidatë për asamble,
Dua të ju falënderoj të gjithëve e secilin veç e veç për punën dhe angazhimin tuaj për rikthimin tonë të madh. 17 tetorin do ta kujtojmë si datë e ditë të triumfit tonë politik. Mbi të gjitha, si përgjegjësi të re për t’i shërbyer vendit me plot dinjitet e përkushtim.
Ne jemi Lidhja Demokratike e Kosovës.
160 është numri ynë.