Krasniqi takim me përfaqësues të PE-së: Në Bruksel të ngrihet çështja e fshirjes së adresave të shqiptarëve në Luginë

Krasniqi takim me përfaqësues të PE-së: Në Bruksel të ngrihet çështja e fshirjes së adresave të shqiptarëve në Luginë

Zgjedhjet Lokale 2021 October 15, 2021 - 14:35

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka takuar sot përfaqësuesit e misionit vëzhgues të Parlamentit Evropian për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Në takim u bisedua për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe për çështjen e diskriminimit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Krasniqi në njoftimin në Facebook tha se PDK-ja e vlerëson misionin vëzhgues të BE-së si vlerë të shtuar të këtij procesi zgjedhor.

Postimi i plotë:

Bashkë me nënkryetaren Vlora Çitaku, sekretarin për Çështje të Integrimeve Euroatlantike, Bekim Çollaku dhe me Sekretarin për Marrëdhënie me Jashtë, Bernard Nikaj, patëm kënaqësinë të mirëpresim sot përfaqësuesit e misionit vëzhgues të Parlamentit Evropian për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Gjatë takimit, diskutuam për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe rolin e rëndësishëm të eurodeputetëve në vëzhgimin e zgjedhjeve.

Në këtë takim, përcolla mesazhin se Partia Demokratike e Kosovës, si lidere e opozitës, e vlerëson misionin vëzhgues të BE-së si vlerë të shtuar të këtij procesi zgjedhor, i cili me gjetjet dhe rekomandimet e nxjerra nga vëzhgimi në zgjedhjet e kaluara, e ka ndihmuar Kosovën që sot të jetë shembulli më i mirë për organizimin e zgjedhjeve në rajon.

Po ashtu, nga deputetët e Parlamentit Evropian, kërkova që në Bruksel të ngrisin çështjen e diskriminimit të shqiptarëve të Luginës Preshevës, veçanërisht për largimin e tyre nga regjistrat civil dhe fshirjen e adresave të vendbanimeve të tyre nga shteti serb.