PDK-ja në Prizren: Shprehja “rrugaçe” e Haskukës ndaj kuvendares tonë, fyese dhe e papranueshme

PDK-ja në Prizren: Shprehja “rrugaçe” e Haskukës ndaj kuvendares tonë, fyese dhe e papranueshme

Zgjedhjet Lokale 2021 October 13, 2021 - 17:20

Partia Demokratike e Kosovës, dega në Prizren, e konsideron të papranueshme gjuhën përçmuese e fyese të përdorur nga kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ndaj kuvendares së PDK-së, Sherife Balaj.

PDK-ja e akuzon Haskukën se e ka quajtur kuvendaren Balaj “rrugaçe” gjatë një seance plenare të KK të Prizrenit.

“Shprehja e përdorur e Haskukës në sallën plenare “rrugaçe” është fyese në rend të parë ndaj një kolegeje të Kuvendit Komunal, por mbi të gjitha e përdorur ndaj një kandidate femër e cila edhe në bazë të shumë monitorimeve të organizatave jo qeveritare është vlerësuar si kuvendarja më aktive. Ne e dënojmë fuqishëm si subjekt politik këtë veprim sepse më së paku kjo duhet të jetë gjuha parlamentare e një kryetari i cili u lëshua në fyerja pas fjalimit të Balajt që po kritikonte komunën për anashkalimin nga investimet e rajonit të Hasit”, thuhet në reagimin e Degës së PDK-së në Prizren.

“Arroganca, fyerjet dhe akuzat e një kryetari në ikje që është udhëhequr për katër vite nga një grup i ngushtë i njerëzve, flasin më shumë për karakterin e tij dhe mbi të gjitha frikën nga humbja që po e pret këto ditë. Ne jemi duke konsultuar edhe me ekspertët ligjorë për të ushtruar padi për fyerje dhe dëmtim të personalitetit publik të kuvendares tonë, Sherife Balaj”, ka theksuar më tej kjo parti në reagim.

Dega e PDK-së në Prizren në fund ka ftuar edhe partitë e tjera politike, aktivistet gra e shoqërinë civile “që ta dënojnë këtë gjuhë fyese të përdorur në sallën e Kuvendit Komunal”. /Zëri