Ora policore në vend, si e zhvilloi aktivitetin 24-orësh kandidati i PDK-së për Prishtinën?
Kandidatët për kryetar të komunave për zgjedhjet lokale të 17 tetorit, si pasojë e kufizimeve të ndryshme nga pandemia, po e zhvillojnë fushatën zgjedhore në mënyra të ndryshme, raporton Zeri.info.
Një nga ta që ka zgjedhur një metodë krejt ndryshe nga të tjerët është kandidati nga radhët e PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili.
Ai gjatë ditës së djeshme ka zhvilluar një aktivitet 24-orësh, pa ndërprerje të takimeve, me njerëz e institucione që kryejnë shërbime 24/7 për nevojat e qytetarëve.
Sipas masave në fuqi anti-COVID të miratuara nga Qeveria, ora policore, që nënkupton ndalimin e qarkullimit, fillon nga ora 22:00 deri në 05:00.
Por, pavarësisht kësaj mase, Ismaili nuk është ndalur gjatë ditës së djeshme.
Mbrëmë, ai ka vizituar barnatoret e kryeqytetit, ka takuar zjarrfikësit, punëtorët e pastrimit e edhe ata të Trafikut Urban.
Tërë këto takime, Ismaili i ka zhvilluar në periudhën mes orës 00:00 deri në 03:00.
“Zëri” ka kontaktuar me Ismailin për të ditur nëse është gjobitur nga Policia për mosrespektim të masave anti-COVID.
Ismaili ka thënë se për këtë çështje është pajisur me leje nga organet kompetente.
“Unë dhe gjithë ekipi im kemi bërë kërkesë te organet kompetente dhe jemi pajis me leje të qarkullimit për aktivitetin 24 orësh”, ka thënë Ismaili për “Zërin”.
Sipas vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës nga kufizimi i lëvizjes përjashtohen rastet e natyrës urgjente (për të kërkuar ndihmë mjekësore, blerje të barnave, për të ofruar kujdes ose ndihmë mjekësore, për të shmangur dëmtimin ose për t’i shpëtuar një rreziku lëndimi); qarkullimi për personelin shëndetësor, të sigurisë dhe operatorët që kryejnë punë apo shërbime publike, personeli i ndërrimit të natës të operatorëve ekonomikë që sigurojnë funksionimin e zinxhirit të furnizimit (përfshirë transportin e mallrave/shërbimeve), por me kusht që të pajisen me leje të veçantë nga sistemi EDI i Administratës Tatimore të Kosovës.
Po ashtu nga kjo masë përjashtohen personat të cilët ofrojnë dëshmi se duhet të jenë në aeroport gjatë orarit të kufizimit të qarkullimit, për shkak se kanë për të udhëtuar përmes aeroplanit, personat ndaj të cilët aplikohet leja e veçantë e përkohshme që lëshohet nga Qendra Operative Emergjente e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për shkak të domosdoshmërisë së qarkullimit gjatë orës policore.
“Zëri” ka tentuar të kontaktojë edhe me Qendrën Operative Emergjente të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila është përgjegjëse për të lëshuar leje të tilla, por e njëjta nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e artikullit.
Zgjedhjet lokale në vend mbahen këtë të diele, më 17 tetor.
Përveç Ismailit, kandidat për të parin e Prishtinës janë edhe Arben Vitia nga LVV-ja, Gëzim Mehmeti nga AKR-ja, Përparim Rama nga LVV-ja dhe Daut Haradinaj nga AAK-ja. /Zëri