LDK-ja akuzon LVV-në për kopjim të programit zgjedhor në Prishtinë
Shtabi zgjedhor i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prishtinë ka akuzuar kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Vitia, për, siç u tha, kopjim të projekteve të kandidatit të tyre, Përparim Ramës.
Alban Zogaj, shef i kampanjës së LDK-së për Prishtinën, tha se ky është një rast i “paprecedentë dhe shqetësues”.
“Ditëve të fundit kemi qenë dëshmitarë të kopjimit që u është bërë projekteve të kandidatit tonë, Përparim Rama, nga ana e kundërkandidatit të tij nga Vetëvendosja, Arben Vitia, i cili u inkuadrua në garë ditë më parë, pa asnjë projekt, e pas një menaxhimi katastrofal të pandemisë. Kandidati ynë, z. Rama, ka kohë që ka shpalosur projektet e tij, të cilat do të kenë ndikim të jashtëzakonshëm në transformimin e Prishtinës, projekte të cilat i ka vizualizuar dhe i ka paraqitur para publikut përgjatë muajve të fundit”, ka thënë Zogaj në një konferencë për media, raporton Zeri.info.
Tutje, ai tha se “ajo çka kemi parë mbrëmë në botimin e programit të z. Vitia është plagjiat i projekteve të Përparim Ramës dhe vjedhje e të drejtës së autorit, dhe siç e dini, kjo është joetike, por edhe e dënueshme”.
Më tej, ai prezantoi disa shembuj, që tha se e ilustrojnë këtë pretendim.
“Ajo çka kemi thënë vazhdimisht, dhe është potencuar nga z. Rama vetë, është e saktë: arkitekti dhe urbanisti Rama i ka hyrë garës për Prishtinën për ta transformuar atë dhe për t’ia kthyer jetën qytetit dhe fshatrave në Komunën e Prishtinës. Deri më sot, nuk jemi marrë asnjëherë me kundërkandidatët e Përparim Ramës, sepse kemi besuar se qytetarët do ta vlerësojnë programin e qeverisjes dhe projektet konkrete te tij, por, sot, nuk mund të heshtim para një akti kaq të ulët, me të cilin synohet të mashtrohen qytetarët e Prishtinës. Ne e themi me kompetencë se asnjëri nga kundërkandidatët e Përparim Ramës as nuk ka aftësi, e as vizion për ta transformuar komunën tonë, Kryeqytetin e Republikës, këtë e bën vetëm Perparim Rama”, deklaroi Zogaj.
Ai tha se nga fillimi i fushatës kanë kërkuar dhe janë përpjekur që të jenë shumë korrekt ndaj të gjithëve që janë në garë, por shtoi se “kjo nuk do të thotë se kemi qenë të verbër ndaj asaj që kundërkandidatët kanë shfaqur si vizion të tyre, e që në fakt janë projektet autoriale të kandidatit tonë dhe ekipit të tij”.
“Me këtë rast, i ftojmë qytetarët e Prishtinës, që të bëjnë edhe vetë krahasimet e programeve, që të besojnë se Prishtina mund të bëhet moderne, e jetueshme, praktike dhe e pastër, me kryetar Përparim Ramën. Pra, ju ftoj që të votoni projektet dhe autorët origjinal të tyre, e jo kopjuesit që s’kanë marrë mundin as të bëjnë më të paktën që një kandidat duhet ta bëjë për qytetin e vet: e që është programi qeverisës. Të cilin ne e konsiderojmë kontratë me qytetarët”, përfundoi Alban Zogaj. /Zëri