Mehmeti në “Kodrën e Trimave”: Do ta zgjidh çështjen e pronësisë me çmim prej një eurove
Kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës nga radhët e AKR-së, Gëzim Mehmeti, ka mbajtur një konferencë për media në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë.
Mehmeti u zotua se puna e parë që do të bëjë është të zgjidhë çështjen e pronësisë me një çmim prej një eurove, pasi 70% e banorëve të kësaj lagjeje nuk kanë fletë poseduese dhe as certifikatë të pronësisë.
“Zotohem para banorëve të ‘Kodrës së Trimave’ që vendimi im i parë do të jetë së bashku me asamble komunale që këtyre banorëve, të cilët jetojnë me vite, kanë ndërtuar shtëpi, kanë ndërtuar afarizmat e tyre, me një çmim prej 1 eurove t’ua mundësojmë të jenë pronarë të shtëpive të tyre, të bizneseve të tyre dhe gjithë atë që është në kuadër të pronës së tyre”, ka thënë ai.
Mehmeti tha se ky vendim do të jetë i bazuar në ligjet valide.
“Zotohem që bashkë me asamble komunale, vendimi i parë që do ta marr do të jetë dhënia e pronës me një çmim simbolik në mënyrë ligjore të jenë pronarë legjitimë të shtëpive të tyre që i kanë ndërtuar me mund, me sakrificë dhe ta gëzojnë këtë të drejtë themelore, të shenjtë, sepse prona është e shenjtë, ta gëzojnë banorët e lagjes së ‘Kodrës së Trimave’ që kanë kontribuar shumë për qytetin e tyre”, ka shtuar ai. /Zëri