Idrizi prezanton programin për Vushtrrinë, me prioritet rininë, gratë dhe të pa punët
Kandidati i PDK-së për kryetar të Vushtrrisë, Ferit Idrizi ka shpalosur programin e tij për qeverisjen e Vushtrrisë në katër vitet e ardhshme.
Idrizi duke iu drejtuar virtualisht qytetarëve të Vushtrrisë tha se prioritet i qeverisjes së tij do të jenë rinia, gratë dhe personat e pa punë në komunën e Vushtrrisë.
"Vizioni im për qytetin e Vushtrrisë e ka në qendër qytetarin pa dallim, bazuar në drejtësi dhe barazi për të gjithë, për një jetë më të mirë. Duke synuar në ofrimin e shërbimeve cilësore për të gjithë qytetaret pa dallim, si dhe për rritjen e mirëqenies së tyre, programi ynë mbështetet në shtatë objektiva: Zhvillimi Ekonomik Komunal dhe Diaspora; Rinia, Kultura, Avansimi i Gruas dhe Sporti; Arsimi dhe Zhvillimi Profesional; Shëndetësia dhe Mirëqenia Sociale; Infrastruktura dhe Mbrojtja e Ambientit; Administrata Publike; dhe Turizmi.", tha ai.
Duke u bërë thirrje qytetarëve të Vushtrrisë që më 17 tetor ta votojnë atë, Idrizi tha se për t'ia kthyer dinjitetin e perspektivën këtij qyteti të lashtë, do të krijohen parakushte për zhvillimin ekonomik, subvencionimin e bizneseve dhe krijimin e kushteve për investime nga diaspora.
"Vushtrria si një qytet me traditë do të jetë nikoqir edhe i festivaleve të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Si asnjëherë më parë përkushtimi ndaj gruas do të zë vend në programin tonë qeverisës duke mbësshtetur në avansimin e saj në jetën shoqërore, politike, biznesore, institucionale dhe vendimarrje. Sporti si një komponentë e rëndësishme do të zë një vend të veqantë në programin tonë qeverisës, duke i subvensionuar të gjitha klubet dhe shkollat e sportit, duke ndërtuar më shumë fusha sportive dhe hapësira për rekreacion për të rinjët e Vushtrrisë.", tha ai.
Ai theksoi se arsimi si sektor që ofron empancipim të përgjithshëm shoqëror, zhvillim ekonomik dhe perspektivë e mirëqenie qytetare, në katër vitet e ardhshme do të gjejë mbështetje që nga fëmijëria e hershme, si dhe do të ofrohen mundësi alternative për të gjithë të papunët duke ofruar subvencione për bizneset që i punësojnë ata.
"Si vazhdimësi e qeverisjes sonë të mëhershme, infrastruktura rrugore, ujësjellësi, kanalizimi, ndriçimi, ndërtimi i objekteve shkollore, shëtitoreve, dhe fushave të sportit do të përmbyllet gjatë mandatit tonë qeverisës. Ndërsa, mbrojtja e ambientit do të zë vend të rëndësishëm duke u kujdesur për pastërtinë e lumenjëve, eleminimin e mbeturinave, krijimin e sipërfaqeve të gjelbëruara dhe parqeve, si dhje mbjelljen e drunjëve dekorativ në oborret e shkollave, institucioneve dhe shëtitoreve.", tha ai.
Po ashtu, Idrizi falënderoi stafin shëndetësor të Komunës së Vushtrrisë, të cilët në përballje me pandeminë COVID-19 kanë dhënë maksimumin për të shpëtuar jetët e qytetarëve, dhe premtoi se si kryetar i ardhshëm i Vushtrrisë do të angazhohet në përmirësimin e kushteve të punës për ta. /Zëri