Tahiri thotë se fshati Letanc ka mbetur i harruar, premton investime

Tahiri thotë se fshati Letanc ka mbetur i harruar, premton investime

Zgjedhjet Lokale 2021 October 03, 2021 - 18:06

Kandidati i AAK-së për kryetar të Podujevës, Besnik Tahiri ka vizituar sot fshatin Letanc.

Tahiri i shoqëruar nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe kandidatja për asamble komunale Albanë Talla, ka thënë se Letanci ka dhënë shumë figura të njohura e dëshmorë, ndërsa shtoi se ka mbetur i harruar ku mungon edhe uji i pijshëm.

"Në Letanc, së bashku me kryetarin, Ramush Haradinaj dhe kandidaten Albanë Talla, në takim me qytetarë, banorët e kësaj ane. Ky fshat, paralagje e qytetit ka dhënë shumë figura të ndritura e dëshmorë, ka qenë strehë e rezistencës dhe arsimimit në kohë të vështira.

Është krejt pa kuptim që për kaq vite kjo zonë të mbetet e harruar dhe e përjashtuar si nga shërbimet edhe nga zhvillimi. Mungesa e ujit të pijshëm rrezikon mijëra famije, ndërkaq qeverisjet paraprake, veç fjalëve nuk kanë marrë as më të voglin veprim", ka hskruar Tahiri.

Tahiri më tutje ka prezantuar projektin e tij zhvillimor "Podujeva 2025", duke premtuar investime edhe në këtë fshat.

"Aty prezantuam programin zhvillimor Podujeva 2025, i cili ka objektiva dhe veprime të qarta zhvillimore. Ky program parasheh: e para, zgjerimin e qytetit në këtë drejtim; kalon unaza e jashtme e qytetit që lidh me Peranin dhe ka potencialin për zhvillim të prodhimeve.

Për të fuqizuar ekonominë e rritur punësimin, përveç zonave zhvillimore, parashihen këto veprime: Zyra për projekte zhvillimore; fondi garantues dhe stimulues për biznese; grantimi i prodhimit dhe masat e përkrahjes për bujqësi dhe zhvillim rural. Ndërkaq, fondi për fshatra dhe lagje, parasheh financim të projekteve të komunitetit si: parqe, hapësira edukative, kulturore, sociale dhe sportive", ka shkruar ai. /Zëri