
Rama viziton shoqatën e grave pensioniste, zotohet se do t’u krijojë kushte të duhura
Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e LDK-së, Përparim Rama, ka vizituar sot shoqatën e grave pensioniste “Vita Jeta”.
Rama ka bërë të ditur se gjatë këtij takimi me këto gra ka biseduar për të kaluarën e të tashmën e kryeqytetit.
“Gjatë bisedës me to, energjia që më dhanë dhe biseda që bëmë më kujtoi fjalët e nënës time.
Dëgjova kërkesat e tyre, hallet e kamotshme që asnjëherë nuk janë zgjidhur. Ne duhet të krijojmë hapësira me kushte të duhura, ku të gjitha këto zonja mund të kalojnë kohën e tyre. Duhet të punojmë që të kenë më shumë aktivitete në të cilat mund të përfshihen e sidomos kur bëhet fjalë për hobitë që kanë, duhet të organizohen evente të ndryshme që portretizojnë trashëgiminë tonë në ushqimet tradicionale, po ashtu ne duhet të zhvillojmë programe të ndryshme që subvencionojnë shoqata të tilla që Prishtinës i japin jehonë ndryshe. Për të gjitha këto u zotova”, ka shkruar Rama në Facebook. /Zëri