![Kurti priti në takim përfaqësuesit e misionit vëzhgues të ENEMO-s](/uploads/zeri.info/images/2021/September/29/auto_29.9.2021_-_ZKM-2_21632934465.jpg)
Kurti priti në takim përfaqësuesit e misionit vëzhgues të ENEMO-s
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti në takim përfaqësuesit e misionit vëzhgues të Rrjetit Evropian të Organizatave Monitorues të zgjedhjeve (ENEMO) në Kosovë, Pierre Peytier dhe Elene Nizharazde.
Kurti në këtë takim thuhet se i ka njoftuar vëzhguesit me situatën e përgjithshme politike dhe të sigurisë në Kosovë, duke theksuar përpjekjet për tejkalimin e vështirësive të krijuara nga pandemia COVID-19 dhe situatën e sigurisë në lidhje me bllokimin e rrugëve në drejtim të pikave kufitare në Bërnjak dhe Jarinje.
“Me theks të veçantë u diskutuan zhvillimet, ecuria e fushatës dhe pritjet për zhvillimet e mëtejme në lidhje me fushatën për zgjedhjet lokale më 17 tetor 2021.Kryeministri Kurti siguroi përfaqësuesit e këtij misioni për bashkëpunim të plotë të gjitha institucioneve shtetërore, duke kërkuar transparencë të plotë”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.
Vëzhguesit e njoftuan Kurtin me misionin e tyre, përpjekjet për vëzhgimin sa më real dhe objektiv të fushatës, synimin për përcjelljen e mediave, sidomos atyre elektronike përmes analizave nga specialistët e marrëdhënieve midis mediave dhe zgjedhjeve.
“Përveç paraqitjeve publike mediale menjëherë pas zgjedhjeve, ky mision do të përgatisë edhe një raport përfundimtar me rekomandime në muajin shkurt 2022, i cili do t’iu dorëzohet të gjitha institucioneve kompetente dhe do të bëhet publik.
Në këtë takim i pranishëm ishte edhe përfaqësuesi i LVV dhe njëherit anëtari i KQZ, z. Sami Kurteshi”, thuhet në komunikatë. /Zëri