PDK-ja e vazhdon fushatën vetëm me asamblistë në Pejë edhe pas vrasjes së kandidatit të saj

PDK-ja e vazhdon fushatën vetëm me asamblistë në Pejë edhe pas vrasjes së kandidatit të saj

Zgjedhjet Lokale 2021 September 28, 2021 - 19:34

Pas vdekjes së Astrit Ademajt, i cili ishte kandidat për kryetar të Pejës, PDK-ja ka vendosur që në zgjedhjet e 17 tetorit të garojë vetëm me asamblistë.

Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi ka thënë se kandidatët për asamble komunale në Pejë do ta vënë në jetë vizionin e Ademajt për transformimin e Pejës.

“Në një takim të afërt me ta, pashë forcë dhe kurajo që së bashku me qytetarët, në këto zgjedhje ne do të nisim një kapitull të ri në mes Pejës dhe PDK-së. Një kapitull që qëndron mbi vlera e integritet, e që do të nxjerrë në pah angazhimin tonë të përhershëm për një Pejë të zhvilluar e të mirëqenë. Ky është përkushtimi ynë për Pejën dhe qytetarët e saj, të cilin, me besimin e tyre do ta shënojmë me 17 tetor, e do ta fuqizojmë për çdo ditë më pas”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Më 13 shtator, në një incident që ka ndodhur me armë zjarri në Pejë, kanë mbetur të vdekur Astrit Ademaj, kandidat i PDK-së për kryetar të Pejës dhe ish-kandidati i kësaj partie për Deçanin, Blerand Kadriaj. /Zëri