
Haziri thotë se në Livoç të Ulët kanë mbetur edhe pak projekte të vogla të papërfunduara
Kryetari aktual, njëherësh kandidat për kryetar të Gjilanit, Lutfi Haziri ka thënë se në Livoç të Ulët ka përfunduar shumë projekte infrastrukturore.
Haziri tha se Livoçi është një ndër vendbanimet që është integruar në zonën urbane të qytetit.
“Në Livoç të Ulët kemi përfunduar shumë projekte infrastrukturore, të cilat ishin jetike, për integrim të plotë në zonën urbane. Kanë mbetur edhe disa projekte të vogla, si dhe lidhja në mes dy Livoçave, sikurse edhe vazhdimi i rrugës deri në Kllokot me të gjitha elementet përcjellëse”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.
Sipas tij, Livoçi edhe Bresalci me fshatra do të integrohen në kuadër të projektit të kolektorëve të ujërave të zeza, të cilat i ndajnë ujërat atmosferik prej ujërave të zeza dhe do të barten drejt Impiantit.
“Do të vazhdojmë me pastrimin e Liqenit të Livoçit, si dhe ky liqe do të integrohet në një program rekreativ dhe edukativ për të rinjët dhe për shkollat. Ju falëmnderit për përkrahjen”, tha Haziri. /Zëri