
Bahtiri thotë se përkrahësit e LVV-së u sulmuan nga “gangsterët e PDK-së”
Kandidati i LVV-së për kryetar të Mitrovicës, Agim Bahitri ka reaguar pasi, siç tha ai, përkrahësit e kësaj partie u sulmuan nga përkrahësit e PDK-së në lagjen Bair të kësaj komune.
Bahtiri ka thënë se gjatë tubimit që po mbanin në lagjen Bair, “gangsterët e PDK-së” kanë sulmuar përkrahësit e LVV-së.
“Ndjej keqardhje për përkrahësit tonë, që sonte u sulmuan nga gangsterët e PDK-së në lagjen Bair, gjatë tubimit që po mbanim aty. Duhet ta dijë i madh e i vogël se kjo kohë ka shkuar. Kurrë më nuk do të përsëritet”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.
Ai thotë se ndihet keq që PDK-ja i jep “këtë fytyrë” qytetit të Mitrovicës, teksa thotë për ta se “po e tregojnë fytyrën e tyre të vërtetë”.
“Po ndihem keq që po i jepni këtë fytyrë qytetit tonë të qetë, por ju veç po e tregoni fytyrën tuaj të vërtetë. Jo PDK, kështu nuk bëhet debati e as fushata”.
“Unë do t'i dal zot Mitrovicës si 8 vitet e fundit!”, tha në fund Bahtiri. /Zëri