Ismaili: Me menaxhim të mirë e të shpejtë të mbeturinave që ta bëjmë Prishtinën të pastër

Ismaili: Me menaxhim të mirë e të shpejtë të mbeturinave që ta bëjmë Prishtinën të pastër

Zgjedhjet Lokale 2021 September 24, 2021 - 17:41

Kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili ka thënë se brenda vitit të parë qeverisës rregullimi i infrastrukturës për menaxhimin e mbeturinave, deponive të tyre ilegale, do të jetë prioritet për një Prishtinë të Gjelbër.

Ismaili këto komente i ka bërë në një pjesë të Prishtinës, ku shihet një deponi e mbeturinave ilegale.

Ai ka thënë se kjo deponi e shëmtuar e Mbeturinave ilegale është krijuar në mungesë të një infrastrukture të përshtatshme komunale për mbledhjen e tyre.

“Jemi sot në një lokacion në Prishtinë, ku prapa meje këtu po shihet një Deponi e shëmtuar e Mbeturinave ilegale e cila është krijuar në mungesë të një infrastrukture të përshtatshme komunale për mbledhjen e tyre. Kjo deponi, e cila fatkeqësisht nuk është e vetmja në Prishtinë, rëndon dhe rrezikon jetën e qytetarëve të Prishtinës çdo ditë, gjatë tërë vitit”, ka thënë ai.

Sipas tij, përveç ndotjes së ambientit, këto deponi në masë të madhe bëjnë edhe grumbullimin e madh të qenve endacakë, që janë një rrezik i përditshëm i yni.

“Pastërtia dhe higjiena, ose mungesa e tyre, reflektojnë kulturën e qytetit dhe stilin e jetës me të cilin jetojnë Prishtinalitë. Unë besoj thellë se lidershipi komunal duhet të luajë rol udhëheqës në sigurimin e saj. Prandaj, ka qenë shumë e rëndësishme për mua që në planin për Prishtinën pastrimi i qytetit brenda vitit të parë qeverisës dhe rregullimi i infrastrukturës të jetë prioritet për një Prishtinë të Gjelbër”, tha më tej Ismaili.

Me këtë rast, Ismaili ka thënë se do të angazhohet që ndër të tjera, të rregulloi dhe organizoi grumbullimin e mbeturinave të gjeneruara nga të gjitha bizneset në Prishtinë, ndërtoj qendrën për trajtimin e mbeturinave të vëllimshme dhe vendosjen e kamerave në të gjitha hapësirat e kryqytetit ku aktualisht grumbullohen mbeturinat ilegale. /Zëri