
Agolli i LDK-së: Përplasjet nga kampet politike në Mitrovicë kanë marrë dimension gati primitiv
Kandidati i LDK-së për kryetar të Mitrovicës së Jugut, Armend Agolli ka thënë se ditëve të fundit përplasjet nga kampet politike në Mitrovicë kanë marrë dimension gati prmitiv, që sipas tij nuk përfaqësojnë kulturën e qytetarëve të Mitrovicë.
Agolli ka thënë se për politikë po bëhen ndarje regjoionale sikur të ishin armiq të njëri-tjetrit, transmeton Zeri.info.
"Si po e shihni këtyre ditëve përplasjet nga kampet politike në Mitrovicë kanë marrë dimenzion gati primitiv, që nuk e përfaqëson kulturën tonë qytetare. Keqpërdoret shaljani e drenicaku, paraqiten sikur ata të ishin armiq të njëri tjetrit.
Cilido mjeran, që pretendon ta pasqyrojë Mitrovicën me këtë ndarje primitive regjionale, nuk e njeh shpirtin zhvillimor, emancipues e bashkëkohor të mitrovicasve. Mitrovica është djep i kulturës ku diversiteti kulturor, regjional e fetar ka qenë përherë vlerë e përqafuar nga të gjithë", ka shkruar Agolli.
Ai ka porositur ata që pushtetin e kanë me të rëndësishëm se interesin e qytetarëv dhe ata që janë të gatshëm të përçajnë popullin për interesa të ngushta se do të marrin ndëshimit e fortë nga qytetarët mitrovicas.
"Unë jam shaljan por edhe drenicak, jam doktor por edhe ish luftëtar, i dua Isa Boletinin e Adem Jasharin, nuk i urrej as Albinin as Hashimin, por jam rugovist me shpirt, e mbi të gjitha jam mitrovicas që nuk e sheh politikën si luftë por si garë të ideve e projekteve. Le ta bëjmë Mitrovicën për të gjithë!". ka shkruar kandidati i LDK-së. /Zëri