
Lushtaku i çon “selam” Kurtit: LVV-ja nuk fiton në Drenicë dhe s’mund ta thyeni PDK-në
Kryetari i Degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, ka thënë sot se Albin Kurti dhe Vetëvendosja po punojnë për ta thyer PDK-në në Drenicë por, që sipas tij, sërish do të dalin humbës.
Lushtaku, në një tubim që ka mbajtur bashkë me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi dhe kandidatin për kryetar të Skenderajt, Fadil Nura, duke iu drejtuar kreut të LVV-së, ka thënë se “zemra e PDK-së është në Drenicë”.
Sipas tij, Kurti është në gjendje t’i humb 4-5 komuna vetëm që ta thyejë PDK-në në Drenicë.
“T’ia çojmë një mesazh atyre burrave që sot nuk janë këtu, nuk po duam t’i keqpërdorim ata, por me të vërtetë kënaqësia më e madhe është, kur qytetarët e tu, bërthama e partisë, zemra e partisë është në Drenicë. Dhe ku po tentohet nga Albin Kurti dhe VV-ja që është i gatshëm me i humbë edhe 4-5 komuna të tjera veç me thy PDK-në në Drenicë. E na po i çojmë selam prej Drenicës këtu, që Albin Kurti dhe VV-ja në Drenicë as nuk kanë mundësi me fitu dhe nuk kanë mundësi me thy PDK-në”, tha Lushtaku para të pranishmëve në Skenderaj.
Kujtojmë se LVV-ja nuk ka kandidat për kryetar në Skenderaj, ndërsa hapur i kanë dhënë mbështetje edhe për një mandat kryetarit aktual Bekim Jasharit. /Zëri